Shërbimi Korrektues i Kosovës ka organizuar sot një takim të përbashkët me bashkëpunëtorë INL, ICITAP, OSBE, EULEX dhe AKSP, me qëllim të harmonizimit të planit të trajnimeve për stafin e SHKK-së.

Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Nehat Thaçi, falënderoi për mbështetjen të gjithë partnerët, duke theksuar se falë kësaj mbështetje dhe përkrahje, personeli i SHKK-së çdo ditë e më shumë po zhvillohet në ngritjen e kapaciteteve të veta.

Ambasadori i OSBE-së në Kosovë Jan Braathu nga ana e tij tha se misioni që ai drejton ka planifikuar një program ambicioz për mbështetjen e SHKK-së.

Drejtori i INL/ICITAP në Prishtinë Shawn Waddops tha se draftimi i Ligjit për SHKK-në është një lajm i mirë. Ai theksoi se ka parë një përparim në SHKK duke vënë në theks se trajnimet e kryera po zbatohen në praktikë.

Për më tepër, Waddops u zotua se do të përkrahë edhe më tutje avancimin e SHKK-së përmes trajnimeve dhe ofrimin e donacioneve. Ndërsa, përfaqësuesi nga EULEX-i Peter Naks përmendi trajnimet e realizuara nga ky mision dhe planin e trajnimeve për vitin e ardhshëm.

Ndryshe, SHKK në bashkëpunim me Ambasadën amerikane në Prishtinë, përmes programit INL/ICITAP, ka mundësuar që rreth 150 zyrtarë të ndjekin trajnimin në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimeve në Kolorado të SHBA-së.

Shërbimi Korrektues i Kosovës me bashkëpunime të tilla, synon reforma të vazhdueshme, me qëllimin e të qenit institucion profesional, kredibil dhe konkurrent me institucionet korrektuese të shteteve demokratike dhe moderne, të cilat aplikojnë vlerat më të larta të lirive dhe drejtave të njeriut.

Share.