Në mungesë të kuorumit, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë miratuar raportin vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019. Përkundër diskutimeve të deputetëve, ky raport nuk o hodh fare në votim, pasi në sallë ishin vetëm 43 deputetë.

Nga koalicioni qeverisës u shprehën pro miratimit të tij, e në partinë opozitare të Albin Kurtit u shprehën kundër.

Deputeti i LDK-së, Fidan Rakaliu kërkoi votimin e raportit nga gjitha grupet parlamentare.

Rakaliu: Në emër të GP të LDK-së e përkrahim këtë raport

“Në emër të GP të LDK-së e përkrahim këtë raport, andaj kërkoj nga grupet tjera politike të përkrahin këtë raport”, tha ai.

Ani pse adresoi vërejtje, deputeti i PDK-së, Ferat Shala tha se do të mbështesin këtë raport.

Shala: Vërehen anomalitë e punës së këtij institucioni

“Vërehen anomalitë e punës së këtij institucioni në disa pika të rëndësishme që pasqyrojnë variacionin. Në njërën anë kemi rënien të hyrave prej 12 përqind, e në anën tjetër kemi një anomali të rritjes së shërbimeve dhe përdoruesve në 9 përqind. E në anën tjerë kemi rënie të dërgesave postare. Pra në raport shihet qartë që tregu në këtë fushë ende është i pa stabilizuar dhe jo mirë i menaxhuar”, tha ai.

Ndërsa, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati tha në bazë të gjetjeve nuk mund të mbështesin këtë raport të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare

Murati: Nuk e mbështesim këtë raport

“Ne si grup parlamentar nuk mund të mbështesim një raport të punës të një institucioni i cili nuk e kryen obligimin ligjor të mbrojtjes së interesave dhe taksapaguesve të këtij vendi”, tha ai.

Share.