Kryeministri francez, Jean Castex njoftoi sot testimin e detyrueshëm për udhëtarët që mbërrijnë në Francë nga 16 vende, ku koronavirusi qarkullon ndjeshëm, mes të cilëve SHBA-ja dhe Algjeria dhe një përgjithësim të testeve pas mbërritjes së tyre në aeroporte.
Duke përmendur 16 vendet në botë ku qarkullimi viral është veçanërisht i fortë, Castex theksoi se për këto vende, udhëtarët do të duhet të disponojnë një test që dëshmon se ata nuk janë bartës të virusit.
“Ne e dimë se në disa prej këtyre vendeve nuk ekziston një strategji depistimi dhe se aksesi për teste është i vështirë, si pasojë ne kemi vendosur të përgjithësojmë testet pas mbërritjes”, shtoi ai duke nënvizuar se rastet pozitive do të vendosen në karantinë.
Vendet e përfshira janë sipas Matignon, SHBA-ja, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Panamaja, Afrika e Jugut, Kuvajti, Katari, Izraeli, Brazili, Peruja, Serbia, Algjeria, Turqia, Madagaskari, India dhe Omani.
Maroku, i cituar fillimisht në këtë listë nga burime qeveritare, nuk bën pjesë për momentin, sipas Matignon.
Castex theksoi se për këto 16 vende kufiri është i mbyllur duke theksuar se e vetmja lëvizje e pasagjerëve përshin shtetasit francezë që banojnë në këto vende ose qytetarë të këtyre vendeve që kanë një leje qëndrimi në Francë. /ATSH-AFP/