Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se tani u takon institucioneve të Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces.
Emisari special i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell sot ka bërë të ditur datën e vazhdimit të dialogut për 27 qershor në Uashington.
E ftesa e tij është mirëpritur nga presidenti Thaçi, i cili ka thënë se udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga SHBA ka qenë gjithmonë përcaktuese për Kosovën dhe popullin e saj.
“Si president i Republikës së Kosovës e mirëpres ftesën për ta rifilluar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe të dërguarit special të tij ambasadorit Richard Grenell”, është shprehur ai./ Tv Malisheva