Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se në asnjë takim të tij, përfshirë këtë të fundit me homologun serb, Aleksandër Vuçiq nuk është diskutuar si kompromis shkëmbimi i territoreve. Mbi këtë theksoi se integriteti territorial i Kosovës do të jetë i pacenueshëm dhe i paprekshëm.

I pari i shtetit në një konferencë për media, pasditen e së hënës, tha se të gjithë zërat që po prezantohen për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë të paqëndrueshme, dhe vetëm për të përhapur konfuzion.

Thaçi: Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i pacenueshëm dhe askush nuk e ka përmendur në asnjë takim

 

“Unë e ndjej mision bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanovcit, Medvegjes në territorin e Kosovës. Por në territorin aktual të paprekshëm të Kos ovës. Sa i përket takimeve tona sot dhe mundësive që ju thatë për kompromise. Unë them që integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i pacenueshëm dhe askush nuk e ka përmendur në asnjë takim. Të gjitha ato që prezantohen poshtë e lartë prej kujt do qoftë, vendor a ndërkombëtar është e paqëndrueshme. Pra është me krijua konfuzion në opinionin publik. Takimi në Uashington ka qenë vetëm takim i vullnetit të mirë, qëllimit të mirë i një mundësie të re të krijuar nga SHBA”, tha ai.

I pari i shtetit, pas takimeve që kishte gjatë tërë ditës me liderët politikë në Kosovë, tha se është pajtuar me ta për të pasur një unifikim të qëndrimeve.

Thaçi: U dakorduam si zakonisht të kemi një qëndrim të përbashkët

 

Sot kam zhvilluar takime me liderët institucionalë dhe politikë duke filluar ish- kryeministrin dhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa ka qenë një takim i shkëlqyer. Kemi diskutuar për këtë proces që po kalojmë dhe u dakorduam si zakonisht që të kemi një qëndrim të përbashkët për çështjet me rëndësi vitale për shtet ndërtim. Konsolidimit të brendshëm dhe atë të jashtëm“, tha ai.

Duke komentuar refuzimin e kryeministrit Kurti për të takuar atë, Thaçi tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur të teke të askujt.

Thaçi: Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe pritur teket, apo hujet e askujt

 

Për sot ka qenë e planifikuar dhe e dakorduar që të ketë edhe një takim me kryeministrin e Qeverisë së Kosovës dhe liderin e LVV-së, Albin Kurti. Për fat të keq edhe pse takimi ka qenë i konfirmuar qysh të premten në mesditë për sot në orën 13:00. Pasi ftesa ka qenë që takimi të ndodh rreth orës 08:30 që të jetë takimi i parë me liderët politik. Me kërkesën e tij takimi ishte planifikuar që të ndodh në orën 13:00. Për fat të keq 5 minuta para 13:00 është anuluar ky takim. Unë do të takoj kurdo që është në interes që të takohet. Por Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe pritur teket, apo hujet e askujt. Kosova ka nevojë për një unitet institucional“, tha ai.

Presidenti Thaçi edhe sot adresoi kritika ndaj BE-së. Ai tha se fillimisht duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave, e më pas BE-ja të kyçet në dialogun Kosovë-Serbi.

Thaçi: BE fillimisht duhet të merr vendim për liberalizimin e vizave, pastaj të kyçet në dialog

 

BE është jo unik me një lidership që nuk ka ende një vizion as për Kosovën, dhe as për Ballkanin Perëndimor. Po e mban Kosovën padrejtësisht të izoluar, të ndëshkuar. Mendoj që është edhe fyerje për Kosovën që nuk po merr vendim për liberalizimin e vizave. Qëndrimi im është shumë i qartë. BE fillimisht duhet të merr vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën, pastaj të mendoj se mund të merr ndonjë rol për dialogun Kosovë-Serbi…uroj që të vijnë dhe të sjellin mesazhin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Nëse nuk sillet ai mesazh përgjigja është shumë e qartë. Fillimisht është liberalizimi i vizave, pastaj le të mendojnë për ndonjë proces tjetër“, tha ai

I pari i shtetit në këtë konferencë për media foli edhe për koronavirusin, ku i bëri thirrje qeverisë që të merr vendimet me kohë për t’u ballafaquar me këtë virus.

Thaçi: Do të ishte me interes që vendimet të merren me kohë

 

E ftoj qeverinë që të jetë shumë e kujdesshme dhe përgatitur. Jemi dëshmitar që gjitha hapësirat për rreth Kosovës janë prekur. Do të ishte me interes që vendimet të merren me kohë. Mundësisht sot, vendimet dhe masat që kanë marrë edhe vendet e tjera të rajonit, por edhe vendet e prekura“, tha ai.

Për propozimet për t’i kthyer diplomatët kosovarë në shtete të ndryshme ndërkombëtare, Thaçi tha se do të respektojë kushtetutën dhe ligjet

Share.