Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë për media ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë, teksa ka falënderuar administratën e presidentit Trump për përpjekjet e vazhdueshme për finalizimin e kësaj marrëveshje historike.
Presidenti Thaçi ka thënë se kjo ishte njëri ndër hapat diplomatike më serioze të ShBA-së në dy dekadat e fundit për Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa shtoi se finalizimi i kësaj marrëveshje i dha und pretendimeve për ndarje dhe për konspiracione të ndryshme.
Thaçi: Kjo ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e ShBA-së në këto dy dekada
“Ndihem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët rreth dy vjet me administratën e Presidentit Trump, me përkushtimin personal të ambasadorit Grenell, të premten e kaluar arritëm që në Shtëpinë e Bardhë të formalizohen këto përpjekje. Kjo ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e ShBA-së në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtij procesi jo të lehtë, në fakt shumë të vështirë hasem në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizimin e kësaj marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë të gjitha këto u treguan të rrejshme, të paqëndrueshme dhe paragjykuese”, tha ai.
Thaçi ka thënë se sikur skena politike kosovare të ishte unike kjo marrëveshje do të ndodhte dy-tri vite më parë, duke shtuar se të premten e kaluar u vërtetua se në Shtëpinë e Bardhë nuk pati thika, harta e as ndarje të Kosovës, por fuqizim ndërkombëtar të shtetit tonë.
Ai ka thënë se ata që pretenduan këto gjëra, duhet t’i kërkojnë falje popullit kosovar, por edhe kombit në përgjithësi.
Thaçi: U pa se nuk ka pasur thika, harta dhe ndarje të Kosovës
“Sikur skena politike kosovare të ishte unike në dy tri vitet e fundit marrëveshja do të ishte më e qëndrueshme dhe do të hapte një perspektiv më të madhe për qytetarët e Kosovës dhe se nuk do t’i humbim ato vite në konspiracione, paragjykime, gënjeshtra dhe akuza. U pa se nuk ka pasur thika në Shtëpinë e Bardhë, nuk ka pasur as harta dhe ndarje të Kosovës. Por ka respektim të shtetit të Kosovës dhe fuqizim ndërkombëtar të shtetit tonë. Prandaj ata që kanë hedhur akuza të tilla i ftoj që t’i kërkojnë falje qytetarëve dhe kombit për injorancën që e kanë treguar por edhe në të njëjtën kohë edhe për konfuzionin dhe mashtrimin që kanë pretenduar t’ua sjellin qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Thaçi shtoi se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, ngritja re mirëqenies sociale, projektet infrastrukturore me kapital të madh, si linjat ajrore, hekurudhore e autostradat kanë qenë gjithmonë prioritet i shtetit të Kosovës.
Gjithashtu ai tha se ndër prioritetet e shtetit tonë mbetet nevoja për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe kthimi individual i të zhvendosurve në shtëpitë dhe pronat e tyre.
Thaçi foli edhe për shqetësimet e ngritura nga Liga Arabe, dhe Turqia rreth njohjes së ndërsjellë me Izraelin, duke thënë se kjo njohje vetëm sa do ta fuqizojë Kosovën në rrafshin ndërkombëtare.
Thaçi: Kjo njohje nuk do ta cenojë partneritetin strategjik, miqësor e vëllazëror me Turqinë
“Unë jam në kontakt me presidentin Erdogan. Kam diskutuar me telefon dhe kjo njohje nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik, miqësor e vëllazëror me Turqinë. Tani do të kemi aleat edhe më të mëdhenj dhe më të fuqizim në rrafshin e fuqizimit global të shtetit të Kosovës”, tha ai.
Ai kërkoi nga spektri politik të krijojnë unitet, dhe që të vazhdojnë të punojnë për konsolidimin e Kosovës si në rrafshin e brendshëm por edhe atë të jashtëm. /TV Malisheva