Qendrat e votimit u hapën sot për zgjedhjet presidenciale amerikane, ku garojnë presidenti aktual, Donald Trump, i cili po kërkon një mandat të dytë, dhe rivali i tij, demokrat, Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara janë aleati kryesor i vendit tonë dhe çdo ngjarje atje ndiqet me interesim të madh edhe në Kosovë. Qytetarët në sheshin kryesor të Prishtinës para mikrofonit të KosovaPress patën preferenca të ndryshme për kandidatët.

Izet Zhuja shpreson që të fitojë kandidati demokrat Joe Biden, ndonëse thekson se të dy partitë amerikane çdoherë kanë ndihmuar popullin e Kosovës.

Zhuja: Kësaj radhe më mirë të fitojë Biden

“Për ne shqiptarët të gjithë kanë me u dashtë, si demokratë, si republikanët, kanë qenë miqtë tanë dhe na kanë ndihmuar, domethënë na kanë çliruar dhe mandej na kanë ndihmuar, megjithatë për këtë periudhë më mirë do të ishte të fitojë demokrati Biden sepse demokratët në kohën e fundit kanë punuar më mirë për ne. Kanë qenë më të kuptueshëm dhe na kanë ndihmuar më shumë. Besoj dhe shpresoj se do të fitojë Biden, por edhe nëse fiton Trumpi nuk është keq për ne”, ka thënë Zhuja.

Ndërsa qytetari Gjergj Lekaj megjithëse thotë se nuk do të ketë shumë rëndësi se cili kandidat fiton, ai shpreh simpatinë për Biden.

Lekaj: Kam simpati më shumë për Biden

“Për mendimin tim nuk çon peshë se cili fiton, megjithatë, unë e kam një simpati pak më shumë për Biden se sa për Trumpin, sepse më lenë përshtypjen e një avanturisti, por megjithatë cilido që fiton për ne nuk besoj që ka ndonjë dallim të madh”, ka thënë Lekaj.

Një tjetër qytetar, Osman Metolli beson që për shtetin e Kosovës është më mirë që të fitojë kandidati i Partisë Demokratike dhe ish-zëvendëspresidenti në administratën Obama, Joe Biden.

Metolli: Biden e përkrah Kosovën

“Biden kam qejf që të fitojë, e ka përkrahjen prej neve krejt, prej krejt Kosovës dhe atëherë kam qejf që ai të fitojë… na përkrah edhe neve”, ka thënë Metolli.

Ndërkaq, Franklin Sejdaj thotë se e adhuron kandidatin e Partisë Demokrate, megjithatë shpreson të fitojë ai i Partisë Republikane.

Sejdaj: Do të jetë garë e ngushtë

“Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë miqësore për popullin tonë shqiptar. Unë besoj se do të fitojë Donald Trumpi dhe jo Biden, edhe pse unë e adhuroj Bidenin, po mendoj se ka me qenë një fitore e ngushtë për faktin se Trumpi ka bërë punë të mëdha për popullin tonë shqiptar, veçanërisht për Kosovën, ku për herë të parë historikisht ishte në tavolinën e tij, Kosova. Me siguri ai edhe nuk e din ku është Kosova, po ishte. Për ne është një ngjarje jashtëzakonisht e madhe dhe me gisht për herë të parë i tha presidentit të Serbisë, ‘ulu’ dhe jo ‘të lutem ulu'”, ka thënë Sejdaj.

Share.