Prej sot një numër i madh i vendeve evropiane fillojnë të heqin disa nga masat restriktive të vendosura për shkak të pandemisë me Kovid-19.

Italia – Italianët do të mund t’i vizitojnë të afërmit e tyre, të grumbullohen në grupe të kufizuara, të hapen parqet dhe të mbajnë distancë fizike mes njerëzve në to. Puna në ndërtimtari dhe tregtia me shumicë tërësisht ka rifilluar. Kafenetë, restorantet dhe baret do të shesin ushqim për në shtëpi. Shkollat nuk do të hapen deri në shtator. Mbeten kufizimet për lëvizje nga një rajon në tjetër. Maskat vlejnë për aeroportet dhe stacionet dhe për transportin publik. Fluturimet e udhëtarëve në aeroportet në Sampino në Romë dhe Peretolla në Firencë, të cilët ishin në mesin e aeroporteve të mbyllura përkohësisht për shkak të epidemisë, janë hapur.

Spanjë – Duke filluar prej sot, është hapur puna e objekteve të vogla tregtare si sallonet e flokëve të cilat mund të pranojnë klientë individualë në orën e caktuar paraprakisht. Baret, kafenetë dhe restorantet do të shesin për nevojat shtëpiake. Maskat janë të obligueshme në transportin publik. Në ishujt më të vegjël arkipelagun e Kanarit dhe Balear do t’iu lejohet që të hapin disa shitore, muze dhe ballkone të bareve dhe restoranteve, por me kapacitet të kufizuar. Shkollat mbeten të mbyllura deri në shtator.

Greqi – Gati 10 për qind të salloneve të mbyllura të shitjes do të mund t’i hapin dyert, përfshirë edhe libraritë, shitoret e elektronikës, optikët, vendet për kontrollim të automjeteve, shitore për produkte sportive, shitore për materiale kopshtare, sallone të flokëve dhe sallone të bukurisë. Kisha do të hapë dyert vetëm për lutje individuale.

Portugalia – Shitoret e vogla nëpër lagje, sallonet e flokëve po hapen, shitja e automobilave, libraritë. Shërbimet tatimore gjithashtu hapën dyert sipas mbledhjes së dakorduar dhe kërkojnë bartjen e maskës mbrojtëse. Maskat mbrojtëse po bëhen të obligueshme në transportin publik. Sportet individuale në vende të hapura janë të lejuara.

Gjermania – Shkollat gradualisht po hapen prej sot në disa provinca. Do të mund të hapen edhe sallonet e flokëve. Vazhdon hapja e kishave, muzeve dhe kopshteve zoologjike. Baret dhe restorantet vetëm do të bëjnë dërgesa për shtëpi. Maskat mbrojtëse mbeten të obliguara në transport dhe shitore.

Austria – Po hapen disa shkolla. Maskat mbrojtëse janë të obligueshme në transportin publik dhe shitoret.

Belgjikë – Bizneset të cilat nuk pranojnë vizitorë do të hapen, ndërsa maskat do të bëhen të obligueshme për transportin publik.

Hungari – Jashtë Budapestit, hapen ballkonet e kafeneve dhe restoranteve. Trajnimi profesional sportiv po rifillon. Maskat janë të obligueshme në shitoret dhe transportin publik.

Poloni – Hotelet, qendrat tregtare, disa nga institucionet kulturore janë të hapura, përfshirë edhe bibliotekat dhe disa muze.

Kroaci – Vazhdojnë me punë veprimtaritë shërbyese ku ka kontakt të afërt me klientë, siç janë sallonet e flokëve.

Sllovenia – Prej sot hapen ballkonet e kafeneve dhe restoranteve, si dhe muze, sallonet e flokëve dhe libraritë. Fillojnë stërvitjet e sportistëve profesionistë. Maskat janë të nevojshme në hapësira të mbyllura në vende publike, në transportin publik dhe në shitore.

Serbi – Kafenetë dhe restorantet hapen derisa e ruajnë distancën fizike, maskat mbeten të obligueshme në transportin publik, trenat në relacione të gjata dhe autobusët.

Islandë – Universitetet, muzetë dhe sallonet e flokëve përsëri po hapen./ Tv Malisheva

Share.