Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar në Kuvend të Kosovës një projekt-rezolutë me katër pika për dialogun, e cila ndër të tjera kërkon hapjen e rrugës për një proces zgjedhor, siç thuhet, të lirë dhe demokratik nga i cili do të dilte një qeveri legjitime dhe do të kishte legjitimitet për përfaqësimin e vendit në dialog me Serbinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha në seancën e Kuvendit të Kosovës, se kjo rezolutë nuk e ka humbur aktualitetin përkundër tërheqjes së PDK-së nga rezoluta e propozuar.
Selimi ka kërkuar mbështetjen e deputetëve që të votohet kjo projekt-rezolutë.
Selimi: Në asnjë rrethanë të mos jetë çështje sovraniteti i vendit
“Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se karakteri unitar i Republikës së Kosovës është i paprekshëm dhe i pacenueshëm.
Duke marrë parasysh faktet e konfirmuara në lidhje me temën e trajtuar gjatë dialogut të deritanishëm, atë të shkëmbimit të territoreve, të cilat janë në kundërshtim me obligimin kushtetues për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, Kuvendi i Kosovës kërkon nga institucionet përgjegjëse që në temën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në asnjë rrethanë, nivel, dhe në asnjë format nuk mund të jenë çështje që lidhen me sovranitetin e vendit, dhe integritetin territorial apo që synojnë krijimin e pushtetit të tretë administrative”, ka deklaruar Selimi.
Në këtë projekt-rezolutë, Selimi tha se kërkojnë zgjedhje të lira, nga e cila do të dilte një qeveri legjitime për përfaqësim të vendit në dialogun me Serbinë.
Selimi: Kuvendi i Kosovës para çfarë do takimi të miratojë platformë për dialog
“Kuvendi i Republikës së Kosovës para çdo takimi në kuadër të dialogut me Serbinë duhet të miratojë platformën për dialog e cila platformë do të përfshijë parimet bazë në bazë të të cilave do të zhvillohet dialogu dhe e njëjta do të votohet me 2/3 e votave të të gjithave deputetëve të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës kërkon hapjen e rrugës për një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik nga i cili do të dilte një qeveri legjitime dhe e cila do të kishte legjitimitetin për përfaqësimin e vendit në dialog me Serbinë”, u shpreh ai./Tv Malisheva