Vizitat institucionale në veri të Kosovës, gjatë kohës së pandemisë kanë përplasur deputetin e PDK-së, Sejdi Hoxha me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Ky i pari në seancën e sotme ku po zhvillohet debati parlamentar për banorët shqiptarë në atë zonë, tha se dy qeveritë Kurti e Hoti i kanë lënë në mëshirë të fatit shqiptarët atje. Madje tha se është dashur kryetari i PDK-së, Kadri Veseli si lideri i vetëm institucional dhe politik të organizoi vizitë për t’iu dalë në ndihmë banorëve shqiptarë në veri.
Hoxha: Veseli, lideri i vetëm që vizitoi veriun e Kosovës
“Është dashur kryetari i PDK-së me organizu si lideri i vetëm institucional dhe politik në Kosovë vizitë me veriun e Kosovës. Normalisht duke parë gjendjen atje dhe shpërndarë edhe pako ndihmuese”, tha ai.
Por kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i tha deputetit të PDK-së se e ka gabim, pasi ajo qysh në fillet e para të pandemisë ka vizituar shqiptarët në veri të Kosovës.
Osmani: Kam vizituar të gjitha ato fshatra
“Zotëri deputet e keni gabim. Prej liderëve institucional kam qenë unë si kryetare e Kuvendit dhe kam vizituar të gjitha ato fshatra, përfshirë edhe shkollat që janë atje dhe fshatrat, jo me vonesë por në fillim të pandemisë dhe fillet e para të pandemisë. Kështu që nuk është e vërtet ajo që po e thoni se nuk ka pasur liderë institucional që nuk kanë vizituar dhe vizitojnë vazhdimisht”, tha ai.
Në këtë debat u inkuadrua edhe deputeti i LVV-së, Liburn Aliu i cili tha se në qeverinë Kurti për herë të parë iu është ndarë buxhet banorëve shqiptarë në veri.
Aliu: Për sa i përket qeverisë Kurti është qeveria e parë që ka nda buxhet për Trepçën dhe veriun
“Për sa i përket qeverisë Kurti është qeveria e parë që ka nda buxhet për Trepçën, është qeveria e parë që në pakon emergjente ka pasur zgjidhej për punëtorët e Trepçës dhe veriun”, tha ai.