Pa ceremoni, e në mënyrë automatike prej orës 11:40 të ditës sotme, Vjosa Osmani është ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës. Krahas postit të kryetares së Kuvendit, Osmani do të ushtrojë të gjitha kompetencat që i sigurohen të parës së shtetit në Kushtetutë, ani pse do të jetë vetëm si ushtruese e detyrës. E kjo pozitë, Osmanit nuk do t’ia kufizojë as punët e të parës së legjislativit.

Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, thotë për KosovaPress se pavarësisht dorëheqjes së Hashim Thaçit prej postit të presidentit nuk ka vakum kushtetues dhe institucional në vend.

Ai u shpreh se Osmani mund të jetë ushtruese e detyrës së presidentit në afat prej gjashtë muajsh, nëse nuk zgjidhet nga Kuvendi i Kosovës një president i ri. E në të kundërtën thotë se vendi do të shkonte në zgjedhje.

Baraliu: Kushtetuta e ka rregulluar këtë çështje

“Kushtetuta e ka rregulluar këtë çështje, këtë situatë juridike dhe kushtetuese. Ajo në paragrafin tre të nenin 90 të saj ka paraparë që në mungesë të presidentit për të ushtruar detyrën për një periudhë të caktuar, detyrën në ushtrimin e presidentit e merr kryetari i Kuvendit, në këtë rast kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. Kjo është e rregulluar deri në maksimumin kohor prej 6 muajsh”, thotë ai.

Baraliu thotë se Kushtetuta nuk e njeh si term “dorëheqjen”, por konsideron se pozita e të parit të shtetit është mbetur vakante dhe në bazë të kësaj hynë dispozitat e nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës, ku përcaktohet marrja e detyrës nga kryetari ose kryetarja e Kuvendit.

Baraliu: Pa ceremoni, Kushtetuta siç ka paraparë bartja bëhet në mënyrë automatike

“Pa ceremoni, Kushtetuta siç ka paraparë bartja bëhet në mënyrë automatike. Prej momentit kur presidenti e ka proklamuar dorëheqjen e tij. Ani pse Kushtetuta “dorëheqjen” nuk e njeh, por kjo situatë nënkupton se pikërisht ka të bëjë me dispozitat e nenit 90. Vendi i punës, pozita e presidentit ka mbetur e zbrazët. Me këtë rast automatikisht i takon e drejta menjëherë të ushtrojë detyrën kryetarja e Kuvendit të Kosovës…patjetër, prej atij momenti në orën 11:00 kur ka proklamuar dorëheqjen Thaçi, ajo është në detyrën e saj. Mendoj që nuk ka vakum kushtetues dhe institucional sepse në bazë të dispozitës së kushteutetutës është përmbushur kushti që detyrat t’i marrë përsipër, kryetarja e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai.

Ani pse thotë se Kushtetua është e heshtur, Baraliu vlerëson se Osmani ndonëse ushtruese e detyrës do të ushtrojë të 34 kompetencat që i garantohen me Kushtetutë.

Baraliu: Kushtetuta është e heshtur, por Osmani pritet të ushtrojë të gjitha kompetencat e veta

“Nuk është përcaktuar Kushtetuta në lidhje me këtë, por është e heshtur. Në bazë të interpretimit logjik nënkupton se derisa ushtron detyrën, tridhjetë kompetencat të parapara në nenin 34 të kushtetutës mund t’i ushtrojë, ushtruesja e detyrës së presidentit”, thotë ai.

Ndërkaq thotë se Osmanit nuk i ndalohet të kufizojë detyrat e saja si kryeparalamentare.

Baraliu; Osmani pritet të ushtrojë detyrat e kryetares së Kuvendit dhe presidentes

“Po patjetër se nuk është deklaruar kushtetuesja dhe as Kushtetua e vendit që të veprohet ndryshe. Nuk ka thënë që t’i lenë punët e kryetares së Kuvendit dhe t’i marrë këto. Por krahas këtyre t’i marrë këto”, deklaron për KosovaPress ai.

Pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi ditën e sotme dha dorëheqje nga posti i të parit të shtetit.

Share.