Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar ndaj raportimeve se ajo ka blerë tokë në vlerë 100 mijë euro në kohë pandemie, duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se pas njëzet vjet pune në Kosovë, SHBA dhe Australi, si dhe me kredi të shumta, ajo dhe bashkëshorti i saj kanë kursyer para për të kontraktuar një shtëpi, e cila është në ndërtim e sipër.
Sipas saj, kjo shtëpi është kontraktuar në vitin 2019 dhe jo në kohë pandemie.
Postimi i plotë:
Kur të ashtuquajtur analistë e media të caktuara publikojnë propagandë kundër meje me qëllim të arsyetimit të atyre që vërtet kanë vjedhur, është e domosdoshme të reagoj dhe të ndërmarrë të gjithë hapat ligjor ndaj shpifjeve të tilla.
Te këta ‘analistë’ e portale do të shihni titullin ‘Vjosa Osmani blenë tokë në vlerë 100 mijë euro në kohë pandemie. KJO NUK ËSHTË E VËRTETË.
Nuk është blerë tokë në kohë pandemie. Deklarimi i pasurisë është i viti 2019. Pas njëzet vjet pune në Kosovë, Shtete të Bashkuara e ne Australi, si dhe me kredi të shumta, unë e bashkëshorti im kemi arritur të kursejmë për të kontraktuar një shtëpi, e cila akoma është në ndërtim e sipër. Ajo shtëpi është kontraktuar në vitin 2019, PRA JO NË KOHË PANDEMIE.
Unë, bashkëshorti dhe dy vajzat tona jetojmë në një banesë njëdhomëshe në Prishtinë që nga viti 2012 kur kemi krijuar familjen tonë, banesë kjo e cila as për së afërmi nuk plotëson kushtet bazike për një familje 4-anëtarëshe. Secilin cent qe e kemi fituar përgjatë 20 viteve (meqenëse që të dy punojmë që nga viti 1999) mund ta arsyetojmë ligjërisht dhe kurrë nuk kemi keqpërdorë asnjë cent të taksapaguesve. Pra 20 vjet pune brenda e jashtë vendit si dhe kredi, për të kursyer për shtëpinë e cila akoma nuk është ndërtuar por me ligj kërkohet të deklarohet vendi ku ajo do të ndërtohet si parcelë.
Pra, po e përsëris, nuk kam blerë asgjë në kohë pandemie por në vitin 2019 i kemi shpenzuar kursimet tona 20-vjeçare për të kontraktuar një shtëpi në Prishtinë.
Kërkoj nga të gjitha mediat që ta largojnë këtë shpifje nga portalet e televizionet e tyre dhe të publikojnë demantin tim. Gjithashtu kërkoj nga analistët që më quajtën kriminele, hajn, abuzuese e çka jo tjetër, të tërheqin shpifjen, të kërkojnë falje dhe të publikojnë demantin.
Natyrisht që nëse një gjë e tillë nuk bëhet do të jem e detyruar që të shfrytëzoj të gjitha mjetet juridike në dispozicion për të mbrojtur integritetin tim dhe të familjes sime. Pikërisht duke i fut të gjithë me një thes (ata që abuzojnë me pushtet e bëhen milionerë brenda natës si dhe ata që punojnë me mund, me djersë e me kredi, pa abuzuar) ju që sot shpifët po u hapni rrugë e po i arsyetoni ata që kinse i kritikoni për krim e korrupsion./Tv Malisheva