Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Samitin për Demokracinë ka përmendur iniciativën rajonale Ballkani i Hapur.
Ai në samitin virtual para liderëve botërorë, tha se në frymën e respektimit të vlerave demokratike kanë nisur iniciativën e këtij bashkëpunimi rajonal. Përmes të njëjtit, sipas tij do të promovohen liria e lëvizjes së qytetarëve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.
Vuçiq: Stabiliteti, parakusht për një të ardhme më të mirë në Ballkanin Perëndimor
“Në periudhën paraprake i kemi kushtuar vëmendje të veçantë arritjes së marrëdhënieve dhe bashkëpunimit sa më të mirë të përgjithshëm në rajon. Forcimi i kontekstit të lidhjes më të mirë të infrastrukturës janë pikënisja për një cilësi më të lartë të jetës së qytetarëve, gjë që lehtëson dialogun dhe respektimin e vlerave demokratike. Në këtë frymë Serbia ka nisur nismën e ‘Ballkanit të Hapur’ së bashku me miqtë tanë nga Ballkani, për të cilën jam i bindur se duke promovuar katër liritë e lëvizjes, lirinë e njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, krijohen kushte për forcimin e të gjitha vlerave demokratike. Udhërrëfyesi dhe parimi ynë është për ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore, prandaj më lejoni të shpreh bindjen time se samiti për demokracinë është mundësia e duhur për të nënvizuar nevojën për trajtim të barabartë të të gjithë popujve, grupeve fetare në rajon, për të forcuar më tej stabilitetin në këtë pjesë të Evropës, që është parakusht për krijimin e një të ardhmeje edhe më të mirë dhe më të begatë në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Samiti për Demokracinë është organizuar nën përkujdesjen e presidentit të SHBA-së, Joe Biden. Në kuadër të tij, një fjalim ka mbajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./TV Malisheva