Xhamitë në Kosovë do të vazhdojnë edhe më tutje të jenë të mbyllura për besimtarët. Ky vendim u bë i ditur pas takimit të myftiut Naim Tërnava me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadanin dhe mikrobilologun Lul Raka. Në këtë takim u tha se mbyllja e xhamive ndikoi dukshëm në parandalimin e hapjes së pandemisë COVID-19

Myftiu Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës, ashtu sikurse të gjithë̈ besimtarët e saj, janë̈ të shqetësuar për mos hapjen e xhamive, ku do të krijoheshin kushtet për kryerjen e adhurimeve ndaj Zotit.

Por shtoi se e kanë obligim fetar që të marrim mendimet dhe rekomandimet e profesionistëve që e njohin fushën përkatëse.

Tërnava: Të gjithë besimtarët me të drejtë janë të shqetësuar

“Sigurisht që të gjithë besimtarët me të drejtë janë të shqetësuar se pse deri sot ende nuk u bë hapja e xhamive ku bashkërisht do të kishim mundësi që të adhurojmë Zotin xh.sh. BIK-u në vazhdimësi ka qenë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, me IKSHPK-në edhe me të gjitha faktorët të tjerë që të shikohet mundësia e rihapjes së xhamive, mirëpo duke pasur parasysh që qëllimi final i të gjithë neve është ruajtja e shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës dhe nisur nga parimi që edhe Zoti në Kuranin famëlart na thotë: Duhet pyetur ata njerëz që janë të thirrur në fushën e vet, ata specialistë që janë përgjegjës kyç dhe din të përgjigjen në këto situata. Andaj neve sigurisht jemi detyruar dhe të shtyrë nga vet feja jonë, nga besimi jonë që të këshillohem me ekspertët dhe të marrim mendime të tyre. Andaj edhe ky takimi i sotit ishte në këtë drejtim”, tha ai.

Myftiu shtoi se sipas mendimeve të ekspertëve, kushtet nuk janë̈ krijuar ende që të hapen xhamitë në vend dhe një̈ veprim i tillë mund të jetë një̈ kërcënim i madh për shëndetin e besimtareve.

Po ashtu, shtoi se do të shikohen në vazhdimësi mundësitë që të hapen xhamitë, anipse vullneti dhe dëshira është shumë e mëdha që ato të hapen sa më parë.

Tërnava: Nuk janë krijuar kushte ende për të hapur xhamitë

“Sigurisht që askush nuk mund të ketë dëshirë dhe vullnet më të madh se sa që kemi ne që i ndërtojmë xhamitë, përkujdesemi për to gjatë gjithë kohës dhe tash vetëm një i çmendur mund të mendoj se BIK-u nuk dëshiron t’i hapë xhamitë. Mirëpo nuk janë krijuar kushte ende për të hapur xhamitë. Së paku kështu janë mendimet dhe opinionet e ekspertëve tanë. Ne kemi dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me dekada të tëra që të krijojmë institucione tona të përgjegjshme dhe tashmë edhe i kemi dhe besoj që duhet respektuar edhe institucionet tona dhe mendimet e atyre që janë të thirrur për të dhënë përgjigje në këtë fushë. Unë si myfti nuk e njoh sëmundjen se çfarë është, andaj jam i shtyrë që të konsultohem me përgjegjësitë, në këtë drejtim me vëllezërit tanë që i kemi këtu, mjekët tanë, të cilët dua t’i falënderoj edhe njëherë për punën e tyre madhore që kanë bërë”, tha ai.

Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se nuk ka qenë aspak lehtë për Bashkësinë Islame dhe as për besimtarët që t’i mbyllin përkohësisht xhamitë, por se ky vendim ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë në parandalimin e përhapjes së COVID – 19.

Ramadani shtoi se duke pasur parasysh që për parandalimin e kësaj pandemie, nuk ka ende ndonjë vaksinë dhe as trajtim të duhur, rekomandimet për mosgrumbullimin e masës kanë qenë obligative në përputhje me institucionet e tjera shëndetësore botërore.

Ramadani: Situata epidiomologjike do të shkojë duke u stabilizuar

“Unë besoj se situata epidiomologjike, sidomos prej dje me rënien e numrave do të shkojë duke u stabilizuar gjithnjë e më tepër dhe do të piqen kushtet që në bazë të kësaj situate epidiomologjike një ditë së bashkë prapë ne të mblidhemi kësisoj dhe të shpallim mundësinë e faljes edhe në institucionet fetare. Pra kjo neve na bën të mundur që ne të mbrojmë jetë dhe të parandalojmë, sepse duke pasur parasysh se nuk ka vaksina akoma dhe terapi adekuate për këtë sëmundje masat e vetme kanë qenë këto që i kemi rekomanduar në IKSHPK por të cilat kanë qenë të mbështetura edhe në organizmat ndërkombëtarë dhe që e folëm edhe me myftiun që ne i përmbahemi edhe rregullave”, tha ai./ Tv Malisheva

Share.