Xhandarmëria serbe është futur në territorin e Kosovës rreth 300 metra vijë ajrore nga pika më e afërt e kufirit, ndërsa nëpër rrugë edhe më gjatë. Rreth 700 metra nga vija kufitare në drejtim të fshatit Muhovc. Kështu po vlerësojnë dy profesorët universitar, ish-anëtarë të Komisionit Shtetëror për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi.
Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi, përmes një postimi në Facebook, kanë thënë se ky veprim i forcave serbe nuk mund të cilësohet si gabim, sepse morfologjia e terrenit është shumë e theksuar dhe tepër lehtë e identifikuar për detektim të vijës kufitare.
Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të reagoj ashpër për futjen e personave të armatosur në thellësi kaq të madhe të territorit tonë.
Ky është postimi i tyre:
Miq të dashur!
Pas publikimit të disa videove në mediat kosovare, dhe pas detektimit të pozicionit gjeografik, mund të vërtetohet distanca e futjes së xhandarmërisë serbe brenda territorit tonë. Bazuar në analizën e realizuar nga imazhet satelitore dhe krahasimin e tyre me videot dhe foto të bëra në vendin e ngjarjes, mund të konstatohet se xhandarmeria serbe është futur në territorin e Kosovës rreth 300 metra vijë ajrore nga pika më e afërt e kufirit, ndërsa nëpër rrugë edhe më gjatë. Rreth 700 metra nga vija kufitare në drejtim të fshatit Muhovc.
Pozicioni i realizuar nga xhirimet e kamerës së sigurisë së restorantit Oksigjen, janë 4400 metra larg nga pika e vëzhgimit të Policisë së Kosovës e cila është e pozicionuar kohë pas kohë në rrugën Rogoqicë-Karaçevë.
Ky veprim i forcave serbe nuk mund të cilësohet si gabim, sepse morfologjia e terrenit është shumë e theksuar dhe tepër lehtë e identifikuar për detektim të vijës kufitare.
Pra edhe njohësi më i dobët i hartave mund të orientohet në këtë pjesë të territorit, e mos të dyshohet për një trupë profesionale.
Faktet hartografike dhe vizuale janë të sakta, e bazuar në to, Qeveria e Kosovës duhet të reagoj ashpër për futjen e personave të armatosur në thellësi kaq të madhe të territorit tonë, sidomos pa paralajmërim dhe leje paraprake.
Hartat dhe fotot tregojnë faktet nga terreni.
F.I & Sh.B.