Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se bashkëpunimi regjional për një përgjigje sa më unike është rruga e duhur për të minimizuar pasojat evidente nga Covid-19, para së gjithash për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit, zvogëluar rastet e vdekjeve dhe reduktuar humbjet në rrafshin ekonomik.

Zemaj ka njoftuar se sot ka marrë pjesë në takimin virtual të Procesit të Berlinit, ku me ministrat e shëndetësisë të vendeve të Rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të shumë vendeve të BE-së, përfaqësues të lartë të OBSh-së, ECDC dhe të Institutit “Robert Koch” diskutuan për forcimin e përgjigjes shëndetësore regjionale ndaj COVID -19 dhe qasjen e koordinuar për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve gjatë kësaj kohe duke mbajtur njëkohësisht nën kontroll situatën sa i përket pandemisë Covid-19.

“Të udhëhequr nga fakti që askush nuk është i sigurt nga virusi pavarësisht prejardhjes, racës, etnisë apo statusit ekonomik, bashkëpunimi regjional për një përgjigje sa më unike është rruga e duhur për të minimizuar pasojat evidente nga Covid-19, para së gjithash për të parandaluar përhapjen e mëtejme të virusit, zvogëluar rastet e vdekjeve dhe reduktuar humbjet në rrafshin ekonomik. Duke qenë se si shtet e shoqëri ndajmë vlerat e përbashkëta të dhe me këtë rast edhe shqetësimin e përbashkët lidhur me Covid-19, ne mirëpresim çdo platformë të re të bashkëpunimit që avancon qasjen e koordinuar dhe përgjigjen ndaj COVID, të bindur se pavarësisht sfidave që janë para nesh, do të ja dalim që sistemet tona shëndetësore t’i përgatisim në atë nivel që të garantojnë sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët tanë”, ka shkruar ai në Facebook. /TV Malisheva

Share.