Ndonëse tubimet dhe marshimet në të gjithë Europën janë anuluar për shkak të masave kundër pandemisë, mijëra grekë u mblodhën para Parlamentit për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Por ky 1 maj e gjen botën me një numër rekord të papunësh. Vetëm në ShBA janë regjistruar mbi 30 milionë të papunë.

Çdo 1 maj, miliona qytetarë nëpër botë, zakonisht marrin pjesë në marshime dhe protesta për të shënuar, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, por këtë vit kjo ditë është pa punëtorë, për shkak të kufizimeve të vendosura për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit. Gjithashtu ky 1 maj e gjen botën me një numër rekord të papunësh.

Në nivel global sipas Organizatës Botërore të Punës njoftoi se të paktën 1.6 miliardë vetë që punojnë në të zezë nuk janë paguar. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës autoritetet kanë njoftuar se që nga fillimi i pandemisë, kanë humbur vendin e punës mbi 30 milionë qytetarë.

“Pandemia e koronavirusit ka sjellë rënie ekonominë globale. Është e qartë se kemi hyrë në recesion, që do të jetë më i keq se ai i vitit 2009, pas krizës globale financiare”, tha shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.

Tubimet dhe marshimet në të gjithë Europën janë anuluar për shkak të masave kundër pandemisë. Sindikatat po u kërkojnë mbështetësve të zbukurojnë shtëpitë dhe ballkonet e tyre me flamuj ose të përdorin median sociale për të mbështetur punëtorët.

Pavarësisht kësaj, mijëra grekë, duke respektuar distancimin fizik u mblodhën përpara parlamentit.

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, transportuesi irlandez me kosto të ulët, Ryanair paralajmëroi se mund të shkurtojë deri në 3 000 vende pune, pasi përpjekjet globale për të frenuar pandeminë e koronavirusit vazhdojnë të kenë ndikim të rëndë në linjat ajrore.

Ryanair njoftoi se planifikon bisedime me sindikatat, në lidhje me një program ristrukturimi që do të fillojë në korrik.

Ndryshe janë përpjekur ta paraqesin gjendjen në Kinë autoritetet, ku ndonëse vendi shënoi rënie të fortë ekonomike në tremujorin e parë të vitit, më 1 maj i lejuan qytetarët të vizitojnë më 1 maj disa prej pikave kryesore turistike, si Qytetin e Ndaluar apo Murin e Madh./ Tv Malisheva

Share.