Gjykata e Prishtinës, përmes njoftimit për media, ka bërë të ditur se ka shpallur akgjykim dënues për të akuzuarit Mentor Maqani, Flakron Maqani, Granit Nikqi, Visar Haxhijaj, Arbent Ramadani, Fadil Bytyqi, Rrahim Bërbatovci, Sefer Berisha, Artan Quni dhe Ardian Hasani, duke i dënuar ata me një dënim me burgim prej 11 vitesh, për të gjithë së bashku.
Ndërsa, të akuzuarit Qun Mengjiqi dhe Mentor Kika janë liruar nga akuza për mungesë provash, ndërsa për të akuzuarin Orhan Elshani është marrë aktgjykim refuzues, meqë prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale.
Sipas njoftimit të gjykatës, Mentor dhe Flakron Maqani janë dënuar me 3 vjet burgim për kryerjen e veprës penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në bashkëkryerje.
Granit Nikqi është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim për të njëjtën vepër penale në bashkëkryerje me Mentor dhe Flakron Maqanin.
Ndërsa, të akuzuarit Visar Haxhijaj, Arbent Ramadani, Fadil Bytyqi, Rrahim Bërbatovci, Sefer Berisha, Artan Quni dhe Ardian Hasani janë dënuar me nga 6 muaj burgim për veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Mirëpo, këtë dënim, shtatë të akuzuarit e mësipërm, mund t’i zëvendësojnë me një gjobë prej 5 mijë eurosh (secili veç e veç).
Secili i akuzuar, është i detyruar të paguajë të gjitha shpenzimet e procedurës gjyqësore, duke përfshirë një shumë prej 100 eurove në emër të paushallit gjyqësor dhe një shumë prej 100 eurove për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit Mentor Maqani dhe Granit Nikqi, ndaj të cilëve edhe është veçuar procedura kanë qenë bartësit e këtij aktiviteti kriminal në atë mënyrë që fillimisht në mënyrë të ligjshme kanë siguruar aparate për lojëra të fatit, duke licencuar po të njëjtat aparate e të cilat janë përdorur nëpër pikat e përshkruara në aktakuzë në qytete të ndryshme të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Rahovec, Istog, Gjilan.
Në këto vende, kjo veprimtari është ushtruar në mënyrë të dublifikuar ose trefishuar që do të thotë se aparatet të cilat kanë funksionuar nëpër këto pika kanë qenë të jashtëligjshme dhe përmes tyre i’u është mundësuar përfitim i kundërligjshëm i dobisë pasurore duke bashkëvepruar me të akuzuarit e tjerë në cilësi të menaxherëve të këtyre pikave.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Shpejtim Rexha, përmes licencës që kishte siguruar për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën nën firmën “Market Plus”, më pastaj aksionet ia kishte bartur të pandehurit Flakron Maqani, i cili të njëjtën firmë e kishte regjistruar në ARBK nën firmën “Market Plus 1” dhe “Las Vegas”, në atë mënyrë që sipas marrëveshjes me të pandehurit tjerë të cilët kanë vepruar nëpër pika të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, në vazhdimësi pa licencë dhe pa leje pune nga organet kompetente kishin siguruar dhe shpërndarë aparate të ndryshme të lojërave të fatit si: roleta, aparate të markave “Kajot” “Apec”, “Merkur” si dhe aparate të tjera të lojërave si “Keno”, aparate pa numra serik dhe aparate me numra serik të falsifikuar.
I njëjti, në cilësinë e pronarit të “Market Plus” në vitin 2009, me dashje dhe vetëdije të plotë e ka regjistruar biznesin për organizimin e lojërave të fatit dhe bixhozit dhe pas regjistrimit në bashkëpunim me të pandehurit Flakron Maqani, Mentor Maqani dhe Granit Nikqi, këto aparate të falsifikuara i kishin distribuar nëpër gjithë Kosovën.
Sipas dosjes së prokurorisë, përmes këtyre veprimeve, të njëjtit kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme në shumën prej 15 mijë e 337 euro e 63 centë, specifikuar në aktakuzë.
/TV Malisheva