Puna në zyrë apo nga shtëpia? Pak rëndësi ka sepse aplikacionet/veglat me të cilat do t’ju njoftojmë në vazhdim të këtij artikulli, e lehtësojnë komunikimin, bashkëpunimin dhe punën në përgjithësi, në çdo ambient.

Ditëve të fundit, edhe në Kosovë shumë biznese, institucione, organizata po e praktikojnë punën nga shtëpia. Mirëpo, ka shumë mendime që puna nga shtëpia është e vështirë për t’u realizuar në mënyrë efektive për shkak të pengesave që mund të hasën në komunikim.

Kur punoni nga shtëpia, është shumë e rëndësishme të dini për mjetet të cilat ua lehtësojnë komunikimin dhe punën me pjesëtarët e tjerë të ekipit. Ka një mori aplikacionesh të cilat mund të përdoren kur punohet nga distanca, dhe e mira tjetër është se shumë prej tyre janë edhe pa pagesë.

Çelik Nimani, drejtor ekzekutiv i kompanisë Frakton, në një intervistë për AkademiPune, ka folur më shumë rreth praktikave që kompanitë duhet të ndjekin gjatë kësaj kohe kur puna nga shtëpia është pothuajse e detyrueshme.

Nimani nënvizoi disa prej platformave, të cilat mund t’i përdorin kompanitë varësisht nga natyra e biznesit.

“Një prej tyre është ‘Slack’ që mund të përdoret për komunikim direkt mes ekipit dhe për të organizuar komunikimet mes ekipit në grupe, diskutimi me tekst, e kjo vegël mundëson edhe shkëmbim të dokumenteve, thirrje, etj. Ngjashëm është edhe Microsoft Teams. Për menaxhim të projekteve në çfarëdo lloj kompanie mund të përdoret ‘Trello’ që është falas, ‘Asan’ që është po ashtu pa pagesë dhe shërben për deri në 15 persona apo ‘JIRA’ nga Atlassian që është me pagesë por që është shumë më profesionale nga këto dy të tjerat, duke mundësuar punën me metodologjitë SCRUM/AGILE”

Ai përmend edhe vegla të tjera, mjaft efektive për video-komunikim, siç janë Google Hangouts apo Zoom, të cilat mund t’i përfshijnë deri në 100 persona në një thirrje, me mundësi për “screen sharing”, aplikacione këto po ashtu falas.

Për të menaxhuar kohën në takime dhe detyra të tjera që janë më të thjeshta, ai u rekomandon kompanive të përdorin edhe veglat si Google Calendar dhe To-Do List.

“Ka edhe vegla të tjera për menaxhim të kodit softuerik për kompani të IT-së, përmes BitBucket apo Gitlab e Github, e kështu me radhë. Sot madje ka edhe vegla për fusha si mjekësi e ndërtimtari por të cilat ende nuk kanë marrë aplikim të gjerë globalisht, përveç në vendet e zhvilluara.“.

Si mund të punohet në mënyrë efektive me ekipin nga distanca?

Që puna të jetë sa më frytdhënëse, Nimani tha se duhet të krijohet një ambient i zyrës edhe në shtëpi, të jetë orari i përshtatshëm i punës, të respektohen pauzat dhe detajet e tjera.

“Duhet të praktikohen edhe detaje si veshja më zyrtare, si për në zyrë, në mënyrë që të mos i humbasim këto shprehi. Gjithashtu duhet të praktikohen edhe takimet e shpeshta me video, e më pak ato me chat, për shkak se kontakti fizik mungon dhe video-thirrjet janë metoda më e mirë për të qenë në kontakt të vazhdueshëm. Duhet pasur kujdes nga shpërqendrimi prej gjërave tjera në shtëpi, për shkak se një gjë e tillë mund të shpërqendrojë vëmendjen në punë, pra duhet edhe një vetë-menaxhim brenda zyrës në shtëpi”

Ai tha se në kompaninë Frakton, pjesë e së cilës është ai, për ta mbajtur ritmin e punës njësoj edhe nga distanca, ata fillimisht praktikojnë komunikimin ditor në mëngjes që të dakordohen se çka do të realizojnë gjatë ditës, si dhe në mbrëmje për ta përmbyllur ditën dhe për të kuptuar nëse ka pasur ndonjë pengesë.

Përparësitë dhe pengesat e punës në distancë

Ndonjëherë puna në distancë tingëllon si diçka më e mirë për punonjësit, sepse kanë një orar të përshtatshëm, kursejnë kohë dhe të ardhura më shumë, janë më të pavarur, etj. Mirëpo, puna nga shtëpia, përpos përfitimeve apo përparësive, mund të shoqërohet edhe me pengesa.

“Ka pengesa si shpërqendrimi nga detyrat e tjera të shtëpisë, telashet e mundshme me internet, problemet me karrige / ambient pune sepse nëse nuk e keni praktikuar më parë duhet të adaptoni ndonjë ambient për punë si tavolinën e kuzhinës. Në veçanti është sfiduese për prindër me fëmijë të vegjël, për shkak se fëmijët nuk janë në kopshte dhe janë të lumtur që kanë të dy prindërit në shtëpi duke kërkuar vëmendjen e vazhdueshme të tyre. Në këto raste, duhet bëhet një ndarje e punëve mes dy prindërve që me fëmijët të merret herë njëri e herë tjetri”

Ai theksoi edhe ndikimin e një ambienti higjienik në punë, me ç’rast tha se duhet pasur kujdes me aktivitetin fizik në shtëpi dhe ajrosjen, si diçka shumë me rëndësi për shëndetin.

Krejt në fund, ai tha se veglat e përmendura janë të gjitha të lehta për t’u përdorur dhe falë internetit nuk kanë ndonjë sistem të ndërlikuar për menaxhim të licencave apo instalimit.

Sipas tij, në të ardhmen, me përdorimin e këtyre veglave që mundësojnë punën në distancë, do të ndeshemi me një sfidë tjetër, e ajo është se njerëzit do ta preferojnë punën nga distanca, dhe se do të priten edhe të tjera zgjidhje inovative për profesione të ndryshme. Në të ardhmen me teknologjinë 5G, parashihet që të mund të kontrollohen edhe mjete të rënda nga distanca, qoftë vozitja e një eskavatori në punishte nga komditeti i shtëpisë, por kjo mbetet të shihet”, përfundoi Nimani. /Tv Malisheva

Share.