Të paktën 13 persona u vranë në sulmet me raketa gjatë natës në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës, jo shumë larg uzinës bërthamore të Zaporizhyas, tha ushtria ukrainase.

“Një natë tragjike… pasi në zonën e Nikopolit, ushtria ruse vrau 11 persona dhe plagosi 13 të tjerë”, shkroi kreu i administratës ushtarake të Dnipropetrovsk, Valentyn Reznichenko në Telegram.

Të dyja zonat e prekura janë në bregun e kundërt të lumit Dnipro me centralin bërthamor të Zaporizhyas, i cili është granatuar disa herë ditët e fundit.

“Qyteti i vogël i Marhanets u godit më keq, me 20 ndërtesa shumëkatëshe të dëmtuara, duke përfshirë dy shkolla, një konvikt dhe një qendër kulturore”, tha Reznichenko.

“Të paktën 12 persona u vranë në qytet dhe 11 të tjerë u plagosën, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë”, tha ai.

Në një fshat tjetër, afër qytetit të Nikopolit, një grua tjetër vdiq në shtëpinë e saj si pasojë e sulmit dhe një çift u plagos.

Dy fshatrat janë në bregun verior të rezervuarit Kakhovka të lumit Dnipro.

Në anën jugore, më pak se 20 kilometra larg, është centrali bërthamor që është vënë nën zjarr duke shkaktuar frikë ndërkombëtare për sigurinë.

Ukraina dhe Rusia akuzojnë njëra-tjetrën për sulmet.

/TV Malisheva

Share.