Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues për veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Kontrabandim me migrantë” ndaj 15 të akuzuarve në gjykimin për mashtrim me viza, i njohur si rasti “Ukë Rugova II”: Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Kurse, për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, i akuzuari Fitim Beqiri u dënua me gjobë 300 euro, i akuzuari Azad Beqiraj u dënua me 300 euro gjobë, kurse i akuzuari Visar Beqiri u dënua me 1 mijë euro gjobë.
Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, nuk është provuar se 15 të akuzuarit kanë kryer veprat penale “Krimi i orgnaizuar” dhe “Kontrabandim me migrantë”.
“Lirohen nga akuza për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë, pasi të njëjtin nuk janë përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat janë akuzur”, tha gjykatësi Krasniqi.
Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkonte Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.
PSRK-ja pretendonte se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas.
Rasti “Ukë Rugova I”, më 30 mars 2023 ka marrë epilog në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku Ukë Rugova u lirua nga akuza për krim të organizuar me vizat italiane, ndërsa u dënua me 6 mijë euro për armëmbajtje pa leje.
Pra, Themelorja mori aktgjykim lirues lidhur me veprën penale krim i organizuar ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, ndërsa aktgjykim dënues për armëmbajtje pa leje ndaj Rugovës, Bahollit dhe Beqirit.
/TV Malisheva