Sot bëhen 17 vjet kur 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri” nga Malisheva kanë humbur jetën gjatë një ekskursioni që po bënin në Shqipëri.
Autobusi që po barte 15 maturantët që s’janë më dhe 34 shokë të tyre që u lënduan rëndë, u rrokullis dhe ra në humnerë. Aksidenti u shënua rreth orës 14:00 të datës 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Pukës.
Të nesërmen, më 15 tetor, pas identifikimit të trupave të nxënësve të vdekur, shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK ata i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës.
Varrimi i tyre u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit.
Në një vjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ka ngritur një obelisk përkujtimor tek vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dy vjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, në qytezën e Malishevës.
Në kujtim të përjetshëm për ta, drejtoria e gjimnazit ka vendosur që në vend të orës së dytë në çdo përvjetor nuk do të mbahet ora e dytë e mësimit, me ç’rast do të mbahen homazhe dhe vendosja e luleve të freskëta mbi varret e 15 maturantëve./TV Malisheva