Kompania gjermane “SOWI Kosovo” mbajti ceremoninë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve për projektet e gjenerimit të energjisë elektrike nga era në Selac dhe Bajgorë të Mitrovicës me kapacitet të përgjithshëm prej 105 megavat, që do të mundësojnë 10 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në vend.

Tri projektet e gjenerimit të energjisë elektrike nga era në Mitrovicë, sjellin një ndër investimet më të mëdha të pasluftës në Kosovë.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Christian Heldt tha se ky investim dëshmon se në Kosovë gjërat po shkojnë drejt sukseseve dhe se ky investim sipas tij, është më i madh që është bërë në Kosovë që nga vitet e 80-ta.

Heldt: Ky projekt dëshmon se Kosova po zhvillohet

 

“Ky është sinjali më me vend në kohën e duhur dhe të dëshmohet se me të vërtetë gjërat mund të bëhen këtu në Kosovë. Besoj se kjo është një shenjë, një ogur shumë i mirë, dhe jam shumë mirënjohës për këtë ngase tregon se kemi të bëjmë me një përpjekje familjare miqësore, edhe rrëfimet e tilla të suksesit nuk e kanë vetëm një nënë ose baba, por shumë dhe kjo është me vend, sepse edhe një herë mund të theksohet se sa shumë gjëra mund të bëjmë nëse i bashkojmë forcat dhe e njëjta gjë vlen dhe për çështje klimatike në nivel global”, tha Heldt.

Përfaqësuesi i kreut të Bordit të Izraelit Jahir Surusi tha se projekti i 27 turbinave të erës me kapacitet të instaluar në Kosovë, do të paraqesë projektin më të madh të ndërtuar që nga vitet e 80-ta të shekullit të kaluar.

Surusi: Ky është projekti më i madh në Kosovë që nga vitet e 80-ta

 

“Lidhja e marrëveshjes financiare  në të vërtetë ka të bëjë me kapacitetin e ndërtimit, mirëbesimit mes palëve të përfshira dhe kjo ngjarje nënkupton çimentimin e marrëveshjes mes të gjitha palëve, nuk kemi të bëjmë me hapjen e projektit, por kemi të bëjmë me momentin kur e qesim nënshkrimin dhe tani jemi të zotuar të përkushtuar. Projekti i 27 turbinave të erës me kapacitet të instaluar në Kosovë paraqet projektin më të madh në vend që është ndërtuar  që nga vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, prej kur janë bërë investime në sektorin energjetik. Kur të përfundohet ky projekt do të nënkuptojë 10 për qind të prodhimit  të energjisë elektrike në vend që është një arsye të jemi krenarë”, tha Surusi.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, u shpreh shumë i lumtur  dhe falënderues ndaj bashkëpunëtoreve, që një investim prej 170 milionë eurove do të bëhet në qytetin e Mitrovicës.

Bahtiri: Ndihem shumë krenar që investimi prej 170 milionë euro bëhet në Mitrovicë

 

“Unë si qytetar i Kosovës ndihem shumë krenar që sot jemi këtu, dhe po dëgjojmë diçka të mirë që vjen në Kosovë, posaçërisht jam krenar si kryetar i komunës së Mitrovicës që ky investim 170 milionësh po vjen në Mitrovicë. Të thuhej përpara se në Mitrovicë do të investohet 170 milionë për dikë ka qenë absolut, sepse Mitrovica njihet si qytet specifik me probleme, por fatmirësisht ne jemi munduar si kryetar i Komunës dhe gjitha institucionet e Kosovës duke falënderuar edhe ndërkombëtarët që sot kemi një Mitrovicë të qetë, stabile dhe kjo na bën krenarë”, tha Bahtiri.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës sivjet vendosi që t’ia japë statusin e investitorit strategjik kompanisë gjermano-kosovare të energjisë së ripërtëritshme “Sowi Kosovo L.L.C”, e cila në tre vjetët e fundit ka bërë matjen e erës në regjionin e Bajgorës. Sipas projektit, planifikohet prodhimi i 105 megavat energji elektrike, duke e renditur Kosovën në vendin e parë në Evropën Juglindore.

Share.