Pas ndërhyrjes së policisë në protestën e thirrur nga Sali Berisha, ky i fundit ka deklaruar se kjo që është parë sot do të jetë vetëm “faqja e parë”. Sipas tij, opozita sot është përballur me mjetet më të egra të dhunës.
Derisa është pyetur se a do të vazhdojnë me protestë, ai tha se aktualisht janë duke protestuar.
“Për fatin më të zi të këtij vendi, narko-qeveria dhe narko-opozita janë e njëjta gjë. Opozita e vërtetë është kjo që shihni ju, e cila u paraqit në protestë paqësore dhe u përball me mjetet më të egra të dhunës. Unë garantoj shqiptarët se jemi dhe do të mbetemi të pamposhtur në vlerat që ne besojmë dhe mbrojmë. Ky ishte një skenar i përgatitur me kujdes gjatë tërë këtyre ditëve. Nuk kishte njeri dhe nuk ka asnjë problem me asnjë deputet të PD-së, përvec me pengun e Edi Ramës që quhet Lul-brava. Në këtë kontekst kjo është një lëvizje e pandalshme, kjo është një betejë e cila nuk do të ketë të sosur. Dhe ju garantoj që kjo që patë sot është vetëm faqja e parë e saj”, tha ai.
Sipas tij, Lulzim Basha u mbrojt sot me metoda banditeske të Edi Ramës.
“Ata që mendojnë se do të mbajnë pengje dhe kukulla për të shtypur vullnetin e tyre, gabohen rëndë. Janë populli i referendumit të lirisë, janë qytetarët të cilët rikthyen në PD votën e lirë. Asgjë nuk pengon ortekun e tyre. Sot, shqiptarë dhe bota panë fytyrat e vërtetë të Lul-pengut, i cili u mbrojt me metoda më banditeske, u mbrojt me të gjithë egërsinë e narkobanditëve të Edi Ramës”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika tha se ata kanë ndërhyrë kur është vlerësuar se është në rrezik jeta e qytetarëve.
“Me vonesë, kur e vlerësuam se po rrezikohej jeta, pati kërkesa dhe telefonata dhe kërkesa verbale nga drejtuesi të PD-së”, ka deklaruar ai.
Më tej, ai u shpreh se nuk do të ruajnë selinë e Partisë Demokratike në Shqipëri. /TV Malisheva