Rreth 20 luftëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik (ISIS) u arratisën nga një burg sirian gjatë një rebelimi pas tërmetit që tronditi rajonin të hënën.

Burgu ushtarak i Rajos, i vendosur pranë kufirit turk në veriperëndim të Sirisë, ka rreth 2 mijë të burgosur, përfshirë rreth 1 mijë e 300 të dyshuar se kanë luftuar për ISIS-in, tha një burim, përcjell ATSh.

“Pas tërmetit të burgosurit filluan një kryengritje dhe morën kontrollin e disa pjesëve të burgut”, shtoi ai.

“Rreth 20 të burgosur u arratisën (…) Ata besohet se janë anëtarë të ISIS-it”, shtoi burimi, i cili nuk dëshiroi të identifikohej.

I vendosur në një zonë rebele, burgu i Rajos kontrollohet nga forcat proturke.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH), një OJQ me bazë në Londër dhe me një rrjet të gjerë burimesh në vendin në luftë, konfirmoi shfaqjen e një rebelimi, por tha se nuk ishte në gjendje të thoshte nëse ndonjë i burgosur ishte arratisur apo jo.

/TV Malisheva

Share.