Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kanë parë nga afër nisjen e punimeve për ndërtimin e kanalit të sistemi të ujitjes në fshatin Sfaraqak.

Ky kanal është rreth 2 500 metra i gjatë që mbulon një sipërfaqe prej 200 hektarë.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, tha se krahas këtij investimi kapital, bujqit në Vushtrri kanë përfituar edhe 2.6 milionë euro grante.

“Është kënaqësi edhe për mua që si ministër të marrë pjesë në fillimin e punimeve të këtij investimi kapital që përkundër që nuk është një shifër shumë e madhe, efektin në ekonomi do ta ketë të konsiderueshme për shkak se flitet për 200 hektarë tokë bujqësore dhe pjellore, të cilat do ta kenë mundësinë që nga viti i ardhshëm të jenë në sistem të ujitjes”.

“Mua më gëzon ky fakt aq më tepër që jemi në njërën prej komunave më bujqësore në Kosovë dhe përveç këtij investimi kapital të këtij projekti dhe dje e kam analizuar numrin që kanë përfituar nga Komuna e Vushtrrisë del që përveç këtij investimi kapital janë edhe 2.6 milionë euro grante që janë në proces të implementimit të Komunës së Vushtrrisë”, tha Peci.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se kostoja e këtij projekti kap shifrën e 196 mijë euro dhe se komplet financohet nga Ministria e Bujqësisë, raporton EO.

“Së pari të falënderoj ministër për këtë donacion që e ke dhënë për Komunën e Vushtrrisë për bujqit vushtrrias, do të futën në sistem të ujitjes rreth 200 hektarë tokë”.

“Vlera totale e projektit është 196 mijë euro dhe komplet e financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe sa herë që kemi pas nevojë, ministrin Peci e kemi pas afër nesh”, tha Idrizi.

/TV Malisheva

Share.