Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se numri i lindjeve të gjalla dhe vdekjeve pësuan rënie në vitin 2022 krahasuar me vitin paraprak(2021).
26 mijë e 118 ishte totali i lindjeve të gjalla në Kosovë gjatë vitit 2022. Prej tyre 13 mijë e 317 ishin të gjinisë mashkullore dhe 18 mijë e 801 asaj femërore.
Ndryshe nga viti që lëmë pas, viti 2021 shënoi plotë 28 mijë e 549 lindje të gjalla në total. Numri i lindjeve i gjinisë mashkullore ishte për 1 mijë e 123 më i lartë.
Viti 2020 shënon një prej viteve me rënien më të madhe të natalitetit, ku në total ishin regjistruar vetëm 18 mijë e 186 lindje të gjalla. Prej tyre, 9 mijë e 452 i përkisnin gjinisë mashkullore dhe 8 mijë e 734 asaj femërore.
Sa i përket vdekjeve, 10 mijë e 575 ishte numri i tyre në vitin 2022 sipas Buletinit të katërt dhe të fundit Tremujor të vitit të kaluar të publikuar nga ASK. Prej tyre, 5 mijë e 756 i përkisnin gjinisë mashkullore dhe 4 mijë e 819 gjinisë femërore. Krahasuar me vitin para tij, 2022-ta regjistroi 3 mijë e 758 vdekje më pak.
Duke përjashtuar vitin 2022 dhe 2021, nataliteti në Kosovë është ulur pothuajse çdo vit që nga viti 2014, sipas statistikave të Agjencisë së Statistikave.
Që nga viti 2014 deri në vitin 2020, Kosova po shkonte drejt një spiraleje të rënies së vazhdueshme të natalitetit. 2020-ta, që ishte edhe viti i përhapjes së pandemisë SARS-CoV-2 dhe njëkohësisht i një ndër rënieve më të mëdha të lindjeve të gjalla, me vetëm 18 mijë e 186.
Vlen të theksohet se për totalin e lindjeve të gjalla të vitit 2020, ekzistojnë dy shifra të ndryshme (18.186 dhe 21.907) në raporte të ndryshme të ASK-së.
Sa i përket normës bruto të lindjeve që ndodhin gjatë vitit, sipas të dhënave të Bankës Botërore, krahasuar me vitin 1960 kur vendi kishte 41 lindje për 1000 banorë, ky numër ka rënë në 11 për 1000 banorë në 2020.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, krahasuar me vendet e Ballkanit Kosova qëndron me mirë në numrin e lindjeve për 1 mijë banorë me 11.18 lindje në matjet e fundit të vitit 2019.
/TV Malisheva