Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Nju Jork, mori pjesë në drekën tradicionale me krerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Para homologëve të saj, presidentja Osmani ka ritheksuar se prej katër vjetësh, institucionet e BE-së kanë konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Në këtë kontekst, Osmani ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe ka potencuar përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet, për rrugën e saj euroatlantike.

Ndërkaq në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe se askush në rajon nuk duhet t`i shërbej si satelit asaj për destabilizim të rajonit.

Në takimin e organizuar nga Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani, gjithashtu ka kërkuar mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër.

Share.