Eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara, Dr. Anthony Fauci thotë se parashikon që të ketë raste të reja të koronavirusit kur vendi të rihapet. Ndërkohë Presidenti Donald Trump tha se vendi po afron pikun e infeksioneve me koronavirus dhe se numri i rasteve po sheshohet.
Dr. Fauci tha se ajo që do të ketë rëndësi është përgjigjia e vendit ndaj atyre rasteve.
“Të mos kemi iluzione. Kur të vendosim në momentin e duhur, kur t’i zbusim disa nga kufizimet, pa dyshim që do të shohim raste”, tha Dr. Fauci në konferencën e përditshme për shtyp të grupit të punës për koronavirusin.
Zoti Trump tha se faktet dhe rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë do të përcaktojnë hapat e mëtejshme për rihapjen e ekonomisë.
“Nuk do të bëjmë asgjë derisa ta dime që ky vend do të jetë i shëndetshëm. Nuk duam të kthehemi mbrapsht dhe të fillojmë nga e para, megjithëse do të ishte në përmasa më të vogla”.
Zoti Trump tha gjithashtu se vendi po afron pikun e infeksioneve me koronavirus dhe se numri i rasteve po sheshohet.
Koordinatorja e grupit të punës së Shtëpisë së Bardhë, Deborah Birx tha se pjesa më e madhe e suksesit për fillimin e sheshimit të kurbës i atribuohet Nju Jorkut.
“Mund të shohim për herë të parë në Shtetet e Bashkuara se po hyjmë në atë faze që hyri Italia para një jave. Kjo na jep zemër që po fillojmë të shohim këto ndryshime”, tha Dr. Deborah Birx.
Presidenti Trump tha se mendon se numri i viktimave në SHBA do të jetë më i ulët se 100 mijë, parashikimi i mëparshëm i Shtëpisë së Bardhë.
Të premten, në Shtetet e Bashkuara u shënuam rritjen më masive brenda një dite të rasteve me pothuajse 2 mijë infektime, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve është tashmë mbi gjysmë milioni./ Tv Malisheva