- Reklamë e sponsorizuar -

Organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, 40 sportistët elitarë, përfshirë bursistët Olimpikë të KOK-ut, Shpresat Olimpike të KOK-ut dhe Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, si dhe disa nga sportistët e kategorizuar për vitin 2020, kanë filluar të vijojnë seminarin ndërkombëtar për shkathtësi (fleksibilitet) mentale.

Seminari po udhëhiqet nga Graziella Thake, themeluese e organizatës Optimization HUB nga Australia dhe bashkëpunëtorët e saj, trajnerë me lecencë ndërkombëtare. Ajo sot ligjëroi temën: “Të krijojmë kiminë tonë nëpërmjet ndryshimit, përshtatjes dhe krizës”, nën titullin “Shëndeti mendor është një muskul që na nevojitet ta ushtrojmë”.

Në mesin e sportistëve elitarë, vijuese e seminarit ishte edhe kampionia Olimpike në xhudo, Majlinda Kelmendi.

Vijuesit e seminarit i përshëndeti presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, i cili ua përcolli sportistëve rëndësinë që ka një seminar i tillë, i pari i organizuar për sportistët elitarë.

Qëllimi i këtij seminari është që sportistët të marrin informata të nevojshme për shkathtësi mentale, pas kalimit të pandemisë Covid-19, shkaku i së cilës prej më shumë se dy muajsh janë ndalur të gjitha aktivitetet sportive.

Seminari i filluar sot ‘online’ përmes platformës ‘Zoom” do të zgjasë katër javë, ndërsa trajnimet do ta mbahen prej nesër (e premte) me fillim në ora 08:00 (grupi i parë) dhe 09:00 (grupi i dytë).

Grupin e parë e përbëjnë: Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova (xhudo), Egzon e Edon Shala (mundje), Albin Tahiri, Arbi Pupovci, Fiona Rrusta (skitari), Donjeta Sadiku (boks), Herolind Nishevci, Elhami Shabani, Fortesa Orana (karate), Musa Hajdari, Astrit Kryeziu, Vijona Kryeziu (atletikë), Dasar Xhambazi, Fjorda Shabani (not), Atdhe Luzhnica (shigjetari) dhe Drilon Ibrahimi, Urata Rama (shenjëtari).

Grupi i dytë: Laura Fazliu, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi, Erza Muminoviq (xhudo), Albulena Gërvalla, Melos Gashi, Betim Maliqi (karate), Muhamet Rama, Alaudin Suma, Albina Deliu (atletikë), Arti Krasniqi, Eda Zeqiri (not), Patriot Behrami, Shpëtim Bajoku, Besart Pireva (boks), Edi Dvorani (shigjetari), Fatih Karabaxhaku (pingpong), Drin Kokaj (skitari), Don Berisha, Tringa Krasniqi (taekwondo)./Tv Malisheva

- Reklamë e sponzorizuar -