Komisioni Qendror Zgjedhor ka pranuar mbi 42 mijë aplikime nga diaspora për t’u regjistruar si votues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi ka njoftuar sot se 42 mijë qytetarë kanë aplikuar përmes postës dhe shërbimeve tjera të votuesve.
Ai tha se 5 mijë aplikues janë nga posta, teksa njoftoi se mbi 5900 persona kanë kërkuar të ndryshojnë qendrën e votimit, por që ende asgjë nuk është vendosur në këtë drejtim.
“Kemi futur në sistem të gjitha aplikacionet që kanë arritur përmes email, postës fax-it dhe në total është numri 42 mijë e 300 për të cilët do të bëhet vlerësimi i zotësisë juridike. Po ashtu, ka mundësi që të përfshihen dublikate apo shënime të dyfishta që kanë dërguar më shumë se një aplikacion, pra sistemi jonë i nxjerr si të tilla dhe pastaj procedohet vetëm me nga një. Po ashtu, edhe në procesim janë aplikacionet që kanë arritur përmes postës dhe diku numri i tyre është rreth 5300. Besojmë që gjatë dy ditëve të ardhshme do të përfundohen këto procedura”, tha ai.
KQZ ka certifikuar si vëzhgues të zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit edhe 737 vëzhgues.
Komisionit Qendror Zgjedhor në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe vendimin e PZAP-së për decertifikimin e tre kandidatëve për deputetë nga Partia Euroatlantike e Kosovës dhe zëvendësimin e atyre kandidatëve. Po ashtu u decertifikua edhe Nita Hetemi, kandidate për deputete nga Partia Fjala.
Nga 18 shtator fillon periudha kur diaspora do të votojë për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.