Në Klinikën Infektive janë të shtrirë 44 persona, të cilët kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Prej tyre 3 janë në gjendje kritike, ndërsa shtatë të tjerë të cilët kanë nevojë për oksigjeno-terapi. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme dy nga pacientët janë liruar në shtëpi.
Infektologu Murat Mehmeti ka bërë të ditur për KosovaPress lidhur me gjendjen e pacientëve që ndodhen nën kontrollin e stafit mjekësor në Klinikën Infektive.
Mehmeti: Tre pacientë janë në gjendje kritike
“Për momentin e kemi të shtrirë me COVID-19 pozitivë të konfirmuar gjithsej 44 raste. Prej këtyre, tri raste janë në gjendje kritike, për faktin se janë në respiratorë, konkretisht me frymëmarrje të sforcuar, dhe i kemi shtatë pacientë të cilët kanë pa mjaftueshmëri respiratore dhe të cilët kanë nevojë për oksigjeno-terapi. Ndërkohë që pacientët e tjerë janë relativ isht mirë, po mbahen dhe po qëndrojnë mirë”, tha Mehmeti.
Ndër të tjera, ani pse numri mund të ndryshojë, Mehmeti tregon se gjatë ditës priten të dalin rezultatet edhe për 10 persona të dyshuar me koronavirus.
Mehmeti: Numri i të prekurve me COVID-19 mund të rritet gjatë ditës
“Numri variron, sepse vazhdimisht vijnë raste të reja, pranohen, testohen. Kështu që mund t’iu them se është numër më i madh se 10, e ndoshta më vonë bëhen 15-20. Varësisht se sa do të jetë fluksi i qytetarëve që do të vijnë të pranohen, dhe t’iu merren strishat”, tha Mehmeti.
Infektologu Mehmeti thotë se po arrijnë të menaxhojnë gjendjen në Klinikën Infektive, marrë parasysh se një numër i madh i te infektuarve po trajtohen në kushte shtëpiake, dhe ndodhen në vetizolim.
Mehmeti: Dy pacientë janë liruar sot në shtëpi
“Është më shumë se 50 numri i të shëruarve. Vetëm sot i kemi lar guar dy pacientë, te cilëve pasi iu janë marrë strishat dy herë. Pasi që rregull është që pasi iu merren strishat dy herë te cilat rezultojnë negative, ne e llogaritim si të shëruar dhe lëshohen për shtëpi, kështu që sot i kemi liruar dy pacientë. Dhe kemi edhe pacientë të tjerë që besoj shumë shpejt do t’i lirojmë po ashtu, por që jemi në pritje të rezultateve”, tha Mehmeti.
Ai u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, dhe të mos grumbullohen me të tjerët, pasi në këtë mënyrë parandalohet përhapja e mëtejme e të prekurve me koronavirusin e ri.
Deri më tani në Kosovë janë 283 të infektuar, prej tyre 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur