Një delegacion prej 50 oficerësh dhe nënoficerësh të “Staff Ride“ të Gardës Kombëtare të Ajovës nga SHBA, nga data 16 deri 20 shtator po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni “Staff Ride” nga Ajova së bashku me oficerë dhe nënoficerë të Forcës së Sigurisë të Kosovës, kanë vizituar disa vende historike dhe të rëndësishme të Republikës së Kosovës, si dhe kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme akademike dhe rekreative.

Oficerët amerikanë së pari kanë vizituar kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, si dhe Qendrën për Studime Universitare, Policinë e Forcës, Kompaninë e Mjekësisë, Batalionin e Xhenios dhe atë të Logjistikës. Vizitorët janë njoftuar me kapacitetet e njësive, aktivitetet dhe angazhimin e tyre, kapacitetet ekzistuese të FSK-së dhe planifikimet e fazës së tranzicionit.

Më pas, oficerët amerikanë kanë vizituar edhe disa vende historike si qytetin e lashtë Dodona, Manastirin e Graçanicës, Krushën e Madhe, Gazimestanin. Po ashtu kanë vizituar edhe qytetin e Prishtinës, Prizrenin dhe Gjakovës, si dhe disa vende me rëndësi historike e kulturore.

Forca e Sigurisë e Kosovës ka organizuar edhe lojë miqësore në futboll ndërmjet Ekipit të FSK-së dhe “Staff Ride” të Gardës Kombëtare të Ajovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Vizita e delegacionit të Gardës Kombëtare të Ajovës zhvillohet në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror që ka Kosova me Shtetin e Ajovës. Kjo vizitë ka për qëllim edhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.

Share.