Në Kosovë ka pasur rënie të numrit të të vdekurve dhe rasteve pozitive me COVID-19 javëve të fundit.
Por krahas kësaj nuk ka ulje të shqiptimit të gjobave për mosrespektim të masave antiCOVID-19. Vetëm brenda 24 orëve, Policia e Kosovës ka shqiptuar 560 gjoba për mosrespektim të masave antiCOVID-19 të vendosura për parandalimin e përhapjes së virusit korona.
Aktualisht në vend janë mbi 3 mijë e 303 raste aktive me COVID-19.
Numri total i rasteve pozitive është 107.269 raste nga 597.019 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.241 raste të vdekjes.
Ndërsa sot kryetarët e Komunave kanë mbajtur një takim koordinues me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të diskutuar rreth procesit të vaksinimit dhe masave të reja.
Sipas Asociacionit të Komunave, në këtë takim u tha se së shpejti do të hiqet ora policore dhe do të lejohen ahengjet me fillim në sezonës së verës kur do të vijnë edhe mërgimtarët.
“Tek lirimi i masave, pas konsultimeve me kryetarët e komunave, brenda kësaj jave do të vlerësohet situata dhe pritet të hiqet ora policore dhe nga mesi i qershorit do të lehtësohen edhe masat lidhur me ahengjet. Pritet që lokalet të lejohen të punojnë deri në ora 12 e natës ndërsa organizimi i dasmave pritet të lejohet nga 15 qershori”, thuhet në njoftimin e Asociacionit.
Kjo thuhet se u mirëprit nga kryetarët e komunave të cilët vlerësuan të drejtë kërkesën e Asociacionit të Komunave të Kosovës ditë më parë për heqjen e orës policore dhe lehtësimin e masave meqë këto do të kenë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik lokal./TV Malisheva