Vera është stina të cilën shumica prej nesh e presim me padurim me muaj të tërë që të vijë. Ditët e gjata, pushimet në bregdet, dielli i ngrohtë e liria e veshjeve të lehta i bëjnë njerëzit të duken më të lumtur dhe më energjikë. Por a ndodhë e njëjta edhe me produktivitetin në vendet e punës? Në këtë kohë të vitit puna nganjëherë duket si gjëja e fundit që kanë në mendje punonjësit. Por, me një përgatitje të vogël do të arrijmë të krijojmë një baraspeshim të punës që e bëjmë gjatë stinëve të tjera të vitit.

Sipas një studimi nga Workgroups DaVinci, produktiviteti i punonjësve gjatë stinës së verës bie në 20 për qind. Kjo është diçka shqetësuese, sepse zakonisht gjatë muajve të verës fluksi i punës është më i madh për bizneset.

Caktoni planet e pushimeve përpara kohës

Nëse shumica e punonjësve kërkojnë që ta marrin pushim në të njëjtën kohë, kjo do të ndikojë shumë në produktivitetin e gjithë kompanisë. Kjo është edhe arsyeja pse është më mirë që të bëhen plane të kërkesave më herë, e sidomos nëse punonjësit janë duke planifikuar që të kenë pushim në të njëjtën periudhë.

Duke e planifikuar punën gjatë gjithë muajve të verës, do të arrini që të keni një plan i cili nuk do të ndikojë në rënien e kompanisë.

Krijoni disa ndryshime të vogla

Fleksibilitetit është më i nevojshëm se asnjëherë gjatë ditëve të verës. Ky do t’u ndihmojë punonjësve që të jenë ende të përgjegjshëm për detyrat e punës, por në të njëjtën kohë t’i shijojnë edhe këto ditë të gjata e më shumë energji.

Nëse keni punonjës të cilët janë prindër, ata mund të jenë në telashe sesi t’i menaxhojnë fëmijët që tashmë janë në pushime të verës, në ndërkohë që ata duhet të punojnë gjatë ditës. Kështu që, a e dini që mund të krijoni fleksibilitet pa ndikuar në produktivitetin e punës?

  • Ofroni punonjësve mundësinë për të punuar nga distanca!
  • Ndryshoni orët e punës për punonjësit!
  • Interesohuni për prindërit të cilët kanë fëmijë në shtëpi!

Krijoni mundësi që punonjësit të punojnë edhe jashtë

Ndërtoni hapësira ku punonjësit mund t’i shijojnë ditët e mira jashtë! Mundësoni që të kenë llaptopë, kështu që punonjësit mund të punojnë pa ndonjë pengesë. Ky është një përfitim i vogël për punonjësin, por ajo që përfiton kompania është shumëfish më e madhe.

Pak ajër nga jashtë, më shumë punë

Sipas një studimi të Harvard Business Review, marrja e ajrit më të mirë nxitë vendim-marrjen, paraqitjen dhe rritjen e produktivitetit në vendet e punës. Pra, është e habitshme se sa mund të ndikojë për të mirë hapja e dritareve, përmes të cilave mund të dëgjohen cicërimat e zogjve apo lëvizjet e makinave.

Sigurisht, që kjo nuk preferohet në ditët jashtëzakonisht të nxehtë, sepse efekti do të jetë plotësisht i kundërt, por në qoftëse ajri jashtë është i lehtë, depërtimi i tij brenda ambienteve të zyrave do të jetë një ndryshim i dashur për punonjësit.

Kufizoni shpërqendrimet

Shpërqendrimet gjatë verës janë shumë të mëdha, prandaj edhe produktiviteti ulet. Mbase punonjësit në vend që t’i kryejnë detyrat që kanë, janë përpara kompjuterit të tyre duke kërkuar vende dhe oferta për pushimet e verës. Pas kësaj “kthimi në punë” do të jetë më i vështirë.

Por, edhe për këtë kompanitë mund të bëjnë diçka. Po sikur ajo të organizojë ndonjë event jashtë, në të cilin do të ketë atmosferë verore dhe punonjësit do të argëtohen sikur të ishin me pushime? Kjo do të bëjë që ata të largohen nga rutina dhe të kthehen në punë ditën tjetër me energji më të mirë.

Vëzhgoni punonjësit

Megjithëse duhet që punonjësve t’u krijoni disa liri, gjithsesi duhet që të “kontrollohet” përgjegjësia e tyre. Vazhdoni që ta matni performancën e punonjësve bazuar në punën që po kryejnë. A po u duhet më shumë kohë për të përmbushur detyrat e tyre? A po vonohen në afate? Nëse ndonjëra nga këto ndodh, bisedoni me atë punonjës dhe zgjidheni çështjen!

Share.