Arqile Vangjeli, shtetas i Republikës së Shqipërisë, është shpallur fajtor për veprën penale dhënia e ryshfetit, duke u dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë. Vangjeli ka pranuar se në pikën kufitare në Vërmicës i kishte ofruar personit zyrtar përfitim pasuror, duke i vendosur në librezën e qarkullimit të automjetit shumën e parave në vlerë prej 500 lekë.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, nga gjykatësja Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me 6 muaj burgim ndaj Vangjelit nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale.

Vangjeli është obliguar që të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 50 euro dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Po ashtu, gjykatësja Krusha njoftoi se kartëmonedha në shumën prej 500 lekë është konfiskuar.

Paraprakisht, i akuzuari Vangjeli ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohej.

Pranimin e fajësisë, nuk e ka kundërshtuar prokurori Petrit Kryeziu, duke propozuar që i njëjti të aprovohet nga gjykata.

Po ashtu, mbrojtësi i të akzuarit Vangjeli, avokati Esat Gutaj ka propozuar që pranimi i fajësisë të aprovohet si dhe gjatë marrjes së vendimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 dhjetor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Arqile Vangjeli, sepse më 12 dhjetor 2022, në pikën kufitare të Vërmicës, i kishte ofruar personit zyrtar përfitimin pasuror në mënyrë që i njëjti të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që, i akuzuari Vangjeli gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës nga ajo e Shqipërisë, përmes pikës kufitare të Vërmicës duke drejtuar automjetin – kamionin, ia dorëzon zyrtarit policor dokumentet, ashtu që në librezën e qarkullimit të automjetit e ka vendosur një kartëmonedhë në shumën prej 500 lekë shqiptare, me ç’rast edhe është ndaluar nga autoritetet e policisë kufitare të Republikës së Kosovës.

Për këto veprime, Vangjeli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 422, paragraf 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

/TV Malisheva

Share.