E themeluar 71 vite më parë me fillimin e Luftës së Ftohtë, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) u bë organizata kryesore udhëheqëse e mbrojtjes së përbashkët me tashmë 30 vende anëtare në Evropë dhe Amerikën e Veriut.
E themeluar më 4 prill 1949 në Uashington, NATO-ja fillimisht kishte 12 shtete themeluese: Dhjetë evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë.
Aleanca synonte të luftonte kundër kërcënimit sovjetik dhe bazohej në parimin e solidaritetit të ndërsjellë midis të gjithë anëtarëve të tij, siç përcaktohet në nenin 5: “Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, në Evropë ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm i drejtuar kundër të gjitha palëve”.
Gjatë viteve u bënë pjesë edhe Greqia, Turqia (1952), Gjermania (1955) dhe Spanja (1982). Kur BRSS-ja u shpërbë, në vitin 199 1, një fazë e re po krijohej për Aleancën dhe në maj 1997, NATO-ja dhe Rusia do të nënshkruanin “Aktin Themelues”.
NATO hapi zjarr për herë të parë më 28 shkurt 1994 duke gjuajtur katër avionë serbë në një zonë të ndaluar fluturimi të OKB-së në Bosnje-Hercegovinë. Më 16 dhjetor 1995, ajo zhvilloi operacionin e saj të parë në Bosnjë, ku shpërndau 60 000 trupa të forcave të IFOR-it.
Më 24 mars 1999, NATO nisi një fushatë bombardimi ajror për të ndalur shtypjen serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Kjo fushatë 78-ditore, pa mandatin e OKB-së, rezultoi me tërheqjen e serbëve nga provinca, që kaloi nën administrimin e OKB-së, një forcë e NATO-s (KFOR) prej 40 000 trupash të cilët do të ruanin paqen. Parlamenti i Kosovës shpalli pavarësinë e kësaj ish-krahine serbe në shkurt të vitit 2008.
Në vitin 1999, NATO mirëpriti vendet e para të Evropës ish-komuniste: Republikën Çeke, Hungarinë dhe Poloninë.
Në vitin 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë që i drejtohen nenit 5. NATO më pas bashkohet me Uashingtonin në “luftën kundër terrorizmit”.
Si e tillë, në vitin 2003, Aleanca mori udhëheqjen e Forcës Ndërkombëtare të Ndihmës së Sigurisë në Afganistan (ISAF), misioni luftarak i cili do të zgjaste deri në vitin 2014.
Në mars 2004, shtatë vende të Evropës Lindore i bashkohen NATO-s: Sllovakia, Sllovenia, Bullgaria, Rumania dhe tre ish-republikat sovjetike (Lituania, Estonia, Letonia), anëtarësimi e të cilave veçanërisht irritoi Moskën.
Këtyre vendeve u janë bashkuar në 2009 Shqipëria dhe Kroacia. Në 2017, Mali i Zi bëhet anëtari i 29-të, ndërsa këtë vit Maqedonia e Veriut u bë anëtari i 30.
Më 31 mars 2011, NATO mori komandën e ndërhyrjes perëndimore në Libi, e zbatuar nën një mandat të OKB-së në emër të mbrojtjes së civilëve. Operacioni “Unif ied Protector” prej 7 muajsh çon në përmbysjen e Muamar Gadafit.
NATO po ndihmon gjithashtu në parandalimin e piraterisë jashtë brigjeve të Afrikës dhe që nga viti 2016, ajo ka vendosur anijet e mbikëqyrjes për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore në Mesdhe. Aleanca ndihmon gjithashtu anëtarët e saj për të forcuar mbrojtjen e tyre kibernetike.
Në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Moska dhe veprimeve të Rusisë kundër Ukrainës, NATO pezulloi bashkëpunimin me Moskën. Në vitin 2016, Aleanca vendos katër grupime shumëkombëshe taktike në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Ky është përforcimi më i rëndësishëm i mbrojtjes kolektive që nga Lufta e Ftohtë.
Në nëntor 2018, NATO kreu manovrat më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë në Norvegji, disa qindra kilometra larg kufirit rus./ Tv Malisheva