Dy ditë pas takimit në Ohër me presidentin serb, kryeministri Albin Kurti është paraqitur në shkollën fillore “Elena Gjika” në kryeqytet në shënim të përvjetorit të mësimit në gjuhën turke, por që nuk është prononcuar para gazetarëve për aneksin e zbatimit të planit evropian.

Kryeministri Kurti në shkollën “Elena Gjika”, të hënën është shprehur krenar që në Kosovë është kjo traditë e shumëgjuhësisë, ku nxënësve ju lejohet të mësojnë gjuhën e tyre amtare.

Kurti ka uruar në gjuhën shqipe dhe turke 72-vjetorin prej kur qytetarët e Kosovës patën mundësinë të mësojnë edhe në gjuhën turke.

Ai është shprehur krenar për këtë traditë kaq të gjatë të shumëgjuhësisë në vend dhe për mundësinë që fëmijët në Kosovë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare.

“Jemi krenar për këtë traditë kaq të gjatë të shumëgjuhësisë në vendin tonë dhe për mundësinë që fëmijët në Kosovë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare…Ne planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin për komunitetet e mbështetura në materiale mësimore dhe materiale tjera të cilat paraqesin domosdoshmëri për mbështetjen profesionale për shkollat ku ofrohen këto mundësi edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën e popullsisë shumicë. Këto shpresojmë që do të ndihmojnë që i gjithë materiali edhe i shtypur dhe digjital nevojitet për arsimin sa më cilësor nëpër shkollë dhe të gjitha shkollat e tjera të Kosovës të ketë qasje të lehtë dhe të shpejtë për të gjithë nxënësit. Do të ofrojmë mundësi për studentët që mësojnë gjuhet siç mund të jetë edhe gjuha turke për shqiptarët këtu në Prishtinë, sepse duhet t’i mësojmë gjuhet e njëri tjetrit, të kuptojmë më mirë e të bashkëpunojmë më shumë”, u shpreh Kurti.

Mes tjerash, kryeministri i vendit tha se edhe individët dhe shteti përfitojnë nga avantazhet në tregun ndërkombëtar në të cilin njerëzit kanë mundësi të komunikojnë me njëri tjetrin.

Ndërkaq, Kurti tha se para se të mësojnë gjuhën e tjetrit, duhet të jenë të sigurt në gjuhën amtare.

“Edhe individët edhe shteti përfitojnë nga avantazhet në tregun ndërkombëtar, si dhe solidaritet në nivel të Republikës, kur njerëzit kanë mundësinë të komunikojnë me njëri tjetrin. Por, para se të mësojmë gjuhët e njëri tjetrit, të gjithë e dimë se duhet të jemi të sigurt në gjuhën tonë dhe se arsimimi më i mirë është ai në gjuhën amtare…Ju e keni këtë mundësi dhe ne do ta mbrojmë të drejtën tuaj. Besojmë që do të mësoni shumë për të kontribuar për vetën tuaj, familjen tuaj, komunitetin, Kosovën, por edhe përtej kufijve. Së bashku po e festojmë faktin që në Kosovë ekzistojnë këto mundësi për arsimim në gjuhën anëtare, që inspiron fëmijët sa më shumë”, shtoi mes tjerash Kurti.

Edhe Zëvendësdrejtoresha në këtë shkollë Agnesa Globoder, është shprehur e lumtur për mundësinë që nxënësit mund të mësojnë edhe në gjuhën e tyre amtare.

“Ne 72 vjet pa ndërprerje, që nga viti 1951 vijohet mësimi në Kosovë në gjuhën turke me batica dhe zbatica sipas periudhave por sërish me mbështetje, me punë të përkushtueshme, jemi këtu me një sukses të mirë. Kemi 19 mësimdhënës të komunitetit turk dhe 198 nxënës nga klasa para fillore deri në klasën e nëntë. Po ashtu mësimi në gjimnazin “Sami Frashëri” po vijojnë mësimin komuniteti turk, pastaj për studime jashtë vendit ose në Kosovë, i kanë të drejtat sipas kuotës që është caktuar për komunitete dhe vazhdojnë mësimin në Kosovë”, tha Globoder.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.

/TV Malisheva

Share.