Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës kishin ftuar në takim sot shefat e grupeve parlamentare për të diskutuar për kërkesat e bizneseve në lidhje me Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, por këta të fundit nuk iu janë përgjigjur ftesës së OAK-ut, duke u arsyetuar me agjendën e ngarkuar.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, u shpreh se në mungesë së përkrahjes së shtetit për bizneset, të bërit biznes në vend është rënduar dhe po ashtu është rritur numri i punëtorëve të larguar nga puna.

OAK, si zëri i bizneseve, iu ka bërë thirrje qeverisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që t’i kenë parasysh kërkesat dhe nevojat e biznesit.

Krasniqi: Të bërit biznes në Kosovë në gjendje të rëndë

“Ne do vazhdojmë të kërkojmë nga shefat e grupeve parlamentare dhe nga qeveria që ta dëgjojë zërin e biznesit nëse duan ta shpëtojnë vendin dhe qytetarët e Kosovës. Nga analizat që jemi duke i bërë dhe nga takimet që jemi duke i bërë me bizneset siç ka qenë takimi i djeshëm dhe të vazhdueshme që jemi duke i bërë në terren shohim që gjendja e të bërit biznes në Kosovë është ekstremisht e rëndë dhe largimi i punëtorëve nga puna ka filluar në mënyrë shumë më të madhe se sa ka qenë më herë para shtatorit. Kjo është si rezultat i mos përkrahjes së biznesit, kjo është si rezultat i mos përkrahjes së shtetit dhe qytetarëve duke marr parasysh se disa bizneseve ua ka ndërprerë punën dhe nuk iu ka dal në ndihmë as punëtorëve të atij sektori dhe as bizneseve. […] Do kërkojmë që ky ligj me ndryshime, jo kështu si është, me ndryshime nga biznesi të kalojë dhe sa më urgjent të përkrahen bizneset dhe punëtorët e sektorit privat”, tha Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka thënë se në mungesë të një koordinimi në mes qeverisë dhe opozitës po dëmtohen bizneset. Ai po ashtu tha se as vetë qeveria nuk po i ka numrat për të kaluar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Krasniqi: Nevojitet koordinim në mes qeverisë dhe opozitës

“Qeveria do të duhej që t’i koordinojë edhe me opozitën pakon por edhe me bizneset kërkesat tona në mënyrë që kjo të kalojë dhe të mos shkojë për herë të gjashtë dhe jemi në muajin tetor. Nuk jemi as në muajin maj, prill e qershor por në tetor dhe deri më tani kemi vetëm një pako të kaluar dhe pakon tjetër ende të pasqaruar se si do të ekzekutohet dhe në çfarë mënyre do ekzekutohet. Gjithashtu nuk kemi plan nga qeveria se çka do bëhet me përkrahje as për muajt vijues por edhe ata të kaluar kemi mungesë koordinimi dhe mungesë bashkëpunimi ndërmjet qeverisë por edhe me opozitën në parlamentar. Por kemi mungesë të madhe edhe të bashkëpunimit me bizneset dhe me Oda-t (e bizneseve)”, theksoi Krasniqi.

Kurse, sekretari i Bordit të OAK-ut, Diamant Elshani thotë se komuniteti i bizneseve nuk kërkon lëmosh nga qeveria por kërkojnë kreativitet dhe bashkëpunim.

Elshani: Nuk kërkojmë lëmosh kërkojmë kreativitet

“Krejt çka kemi kërkuar dhe krejt çka janë kërkesat e biznesmenëve të Kosovës, ne nuk kërkojmë lëmosh prej qeverisë, por në mënyrë që ne t’i paguajmë taksat duhet të operojmë në fushën tonë të biznesit. Krejt që kërkojmë nga shteti dhe qeveria është që të kenë kreativitet, le të përdorin kreativitetin, mundësisht le të bashkëpunojnë mes vete”, theksoi Elshani.

Ndërsa, Hamdi Malushaj, anëtar i OAK, tha se sjellja e qeverisë karshi bizneseve në këtë kohë krize është e pa tolerueshme.

Malushaj: Kjo sjellje e qeverisë karshi biznesit e pa tolerueshme

“Fatkeqësisht lirinë e përjetuan njerëzit e pamerituar për vendin duke pas mirëqenie dhe duke qenë të akomoduar shumë mirë një pjesë e vogël në raport me gjithë popullin. Biznesi po detyrohet të merret me pasojat e politikës, paaftësia jonë politike nuk do thotë të vazhdojmë përjetësisht. […] Nuk po shohim askund më keq se në Kosovë se si po sillen me bizneset. Po kërkojmë prej tyre dhe arkave të thata që nuk i kanë ndërtuar që 20 vite arkën dhe zhvillim dhe situatat emergjente, por sjellja njëjtë nuk është më e tolerueshme”, u shpreh Malushaj.

Disa nga kërkesat e Odës së Afarizmit të Kosovës janë subvencionimi i pagave për periudhën maj, qershor, korrik, gusht, shtator, subvencionimi i qirasë së paku deri me 30 Shtator 2020, si dhe ofrimi i kredive në periudha dy vjeçare, dhe me afat pagese deri në 10 vjet, me garancinë e shtetit 80-100 për qind të shumës. Financimi i faturave të energjisë elektrike për ndërmarrjet që gjatë kohës së pandemisë kanë qenë të afektuar, për muajt prill-shtator 2020. Lirimi nga pagesa e tatimit në fitim, për kompanitë nga industritë që kanë pësuar dëme nga pandemia, për periudhën prill-shtator 2020. Shtyrjes se kësteve të kredisë, ulje të normës së interesit të Bankës Qendrore deri në 1.7 për qind etj.

Share.