Fetah Rudi është kandidati i vetëm nga Malisheva, i cili ka arritur të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit mori gjithsej 12 mijë e 648 vota. Ai ka thënë për “Zërin” se do të jetë deputet i gjithë qytetarëve të Malishevës.
“Votuesit ndoshta i kanë ndëshkuar ata që kanë marrë vota më parë, por nuk i kanë plotësuar kërkesat e qytetarëve. Unë do të jem deputet i gjithë qytetarëve të komunës së Malishevës, jo vetëm i LDK-së, por i të gjithëve”. Rudi ka thënë se do të jetë edhe zëri i personave me aftësi të kufizuara.
“Unë do të jem zë në të gjitha sferat që i preokupojnë qytetarët e Kosovës. Do ta ngre më shumë zërin për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë, si dhe për personat me aftësi të kufizuara, të cilët deri tani nuk kanë pasur një adresë se ku t’i dërgojnë ankesat”, ka deklaruar ai./ZËRI