Rreth 300 punëtorë të ndërrimit të parë të minierës së Trepçës kanë ndërprerë sot punën për shkak të pagave. Ata kanë bërë të ditur se problemet e mëdha me paga i kanë që tre muaj, ndërsa përmendën edhe arsye tjera që i kanë detyruar të hidhen në grevë, siç janë ushqimi i dobët, pajisjet e vjetruara të punës dhe të ngjashme.Gani Osmani, përfaqësues i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, potencoi jo stabilitetin me paga që tre muaj, si pasojë e mos shitjes së koncentratit. Ai përmendi edhe arsye tjera, si kushtet e punëtorëve, Ligjin e punës, ndërsa nuk ka dhënë detaje se deri kur do të zgjasë greva. Osmani: Në tre muajt e fundit nuk kemi stabilitet në paga(video) “Këta tre muajt e fundit nuk kemi pasur stabilitet në paga. Nuk i kemi marr me rregull, diku kemi marrë me përqindje më pak, dikush me 30 për qind, dikush me 4 për qind, ose gjysmë rroge. Këta dy muajt e fundit prodhimi ka qenë i mirë, plani është realizuar, koncentrati nuk është shitur, ndërsa ne prej mjeteve nga të cilat shesim koncentratin, i marrim pagat. E kemi thirr edhe kryeshefin të na japë arsyen pse nuk ka paga…Përgjigjja ka qenë se nuk kemi mund ta shesim koncentratin…Kushtet e punëtorëve janë të këqija, Ligji i punës, me një fjalë janë mbledhur të gjitha. Kryesore ka qenë paga, ushqimi shumë i dobët, mjete të punës nuk ka, do të thotë këto janë tre gjërat elementare…Sot nuk është punuar, ne po presim përgjigje nga menaxheri çka po thotë sot ose nesër, pastaj shohim. Ndoshta nesër punëtorët marrin një iniciativë tjetër, nuk mund të garantoj unë, punëtorët vendosin vetë”, tha Osmani. Minatori Faik Mehmeti, ka akuzuar menaxherin e Trepçës për mos aftësi në menaxhim, pasi sipas tij, situata nuk ka qenë kurrë më e keqe. Mehmeti: Kërkesat tona janë për paga(video) “Kërkesat tona janë për paga…Sot ke menaxheri, tha unë nuk mund t’i bëjë pagat, sepse s’kemi para. Ne nuk jemi kompetentë për të shitur koncentratin, por është ai vetë…Më keq se tash kurrë nuk ka qenë. Pagat tona me i lyp që kemi punuar, dhe kur s’mund t’i bëjë menaxheri, nuk mund t’i bëj unë”, tha Mehmeti. Ndërkaq, Ismail Haxha, minator, u shpreh se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave. Haxha: Në grevë kemi hyrë vetëm për një arsye(video) “Në grevë kemi hyrë vetëm për një arsye. I kemi kërkuar pagat tona, të cilat i meritojmë. Prej tyre nuk morëm asnjë përgjigje, prandaj u detyruam të ndalemi dhe sigurisht se kjo do të vazhdojë deri në mbushjen e kërkesave tona”, tha ai. KosovaPress ka provuar gjatë ditës të kontaktojë menaxherin e Trepçës, Basri Ibrahimi, por ai nuk ka pranuar me arsyetimin se është shumë i zënë.