Zyrtarët në Australi kanë njoftuar se do të lehtësojnë masat kundër koronavirusit, pas rënies së rasteve të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus. Por, në anën tjetër, shtetet evropiane kanë duke shtrënguar masat, teksa shumë shtete po raportojnë për numër të lartë të infeksioneve.
Për më shumë se 100 ditë pas masave të mbylljes të vendosura në Melburn të Australisë, autoritetet hoqën kufizimin prej dy orësh, ku qytetarët lejoheshin të dilnin nga shtëpitë e tyre. Po ashtu, tashmë është lejuar distanca prej 25 kilometrash që njerëzit mund të udhëtojnë nga shtëpitë e tyre për të kryer aktivitete të ndryshme.
Por, autoritetet në shtetin australian të Viktorias, nuk u pajtuan me heqjen e të gjitha kufizimeve. Në këtë shtet, tubimet publike do të jenë të limituara dhe gastronomia do të punojë me shërbimin Take-away (Merre me vete) dhe me porosi.
Por, për dallim nga Australia, shtetet evropiane, si Spanja dhe Britania kanë vendosur masa më të ashpra, me qëllim të frenimit të përhapjes së mëtejme të koronavirusit.
Rrugët e Parisit dhe të tetë qyteteve të tjera të Francës kanë qenë të zbrazura, pasi nga ora 21:00 deri në orën 6:00 është aplikuar ora policore. Kjo masë pritet të zbatohet për të paktën katër javë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se kjo masë është marrë pasi në këto qytete është rritur numri i rasteve të reja me koronavirus, kryesisht për shkak se janë mbajtur ndeja me shumë persona, por edhe tubime private. Ai tha se masat e reja janë të domosdoshme, pasi spitalet rrezikojnë të mbingarkohen.
Numri i rasteve t reja me koronavirus më 17 tetor arriti në 32,000.
Gjermania ndërkaq ka regjistruar më 17 tetor 5,587 raste të reja me koronavirus. Në total, në këtë shtet janë regjistruar 361,974 raste. Ndërkaq, numri i viktimave ka arritur në 9,777.
Në Amerikën e Veriut dhe të Jugut po ashtu ka pasur rritje të infeksioneve. Brazili ka raportuar për 24,062 raste të reja dhe 461 vdekje më 17 tetor.
Në Amerikën e Jugut deri më tani janë regjistruar mbi 5,2 milionë raste me COVID-19, ndërkaq numri i viktimave ka arritur në 153,675.
Në mbarë botën, numri i rasteve me COVID-19 ka arritur në 35,9 milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Numri i vdekjeve, ndërkaq, është 1,1 milion