Mbi 40 milionë shikues do të ndjekin sot versionin e restauruar të filmit “Tomka dhe shokët e tij”, mundësuar nga Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP) dhe Biblioteka e Kongresit Amerikan.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti bën të ditur se “sot, në orën 21:15, në kanalin prestigjioz amerikan, Turner Classic Movies – TCM do të shfaqet filmi i kineastes Xhanfize Keko, e përzgjedhur si “Regjisorja e javës”.
Ministrja e konsideron një ngjarje jo vetëm për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, por për gjithë kinematografinë shqiptare.
36 vjet pas prodhimit të tij, filmi aq i dashur për publikun shqiptar “Tomka dhe shokët e tij”, i prodhuar në vitin 1977 i regjisores Xhanfize Keko ishte filmi i dytë që u përzgjodh për t’u restauruar në laboratorin e Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center, pas filmit “Nëntori i dytë”.
Përzgjedhja e këtij titulli erdhi pas impaktit që parashikohet të ketë ky film te publiku ndërkombëtar. Pas filmit “Nëntori i dytë” janë në pritje për t’iu nënshtruar procesit të restaurimit filmat, “Ballë për Ballë”, “Kapedani” dhe “Ngadhënjim mbi vdekjen”. Ndërkohë që çdo film i restauruar do të shfaqet më parë në festivalet e filmave, në bashkëpunim me institucionet partnere të ACP-së dhe pastaj për një publik më të gjerë.