Për një vit në Kosovë prodhohen rreth 200 tonë qumësht, kur 140 prej tyre po arrijnë të grumbullohen, ndërsa një pjesë rrezikohet të paguhet me 50 për qind të çmimit. Sasia e mbetur e qumështit në stoqe po ndodh për shkak të prodhimeve të importuara të vajit të palmës, e cila konsiderohet e jashtëligjshme, pasi që dëmton shëndetin e konsumatorëve.

Kështu u tha sot në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, ku janë paraqitur problemet me grumbullimin e qumështit nga ana e fermerëve të Kosovës.

Kryetari i Këshillit koordinues të fermerëve të qumështit, Ramadan Memaj theksoi se problemet më të mëdha janë me grumbullimin e qumështit. Ky i fundit ka ngritur shqetësimin edhe me importimin e prodhimeve me përmbajtje të vajit të palmës, për çka tha se janë duke u bërë shkelje flagrante e ligjit.

Memaj: 70 mijë litra qumësht nuk po arrijnë të grumbullohen

“Në Kosovë për momentin i kemi më tepër se 70 mijë litra qumësht, të cilat nuk po arrijmë të grumbullojmë nga ana e përpunuesve të qumështit. Dhe në anën tjetër kemi pothuajse në të gjitha fabrikat e përpunimit të qumështit stoqe, të cilat janë krijuar këta muajt e fundit. Mirëpo, sigurisht se nuk është vetëm kjo çështja kryesore në këtë sektor. Tani, në kohë të fundit e kemi, sidomos në muajin e fundit, kemi dukurinë e mbylljes të fermave në pamundësi që të mbijetojnë për shkak të vështirësive me të cilat janë duke u ballafaquar. Në anën tjetër kemi zvogëlim të grumbullimit të qumështit dhe çmimit të grumbullimit të qumështit. Ky është një problem tjetër mjaft shqetësues për faktin se nga terreni na vijnë informacione se në raste të caktuara se diku rreth 50 për qind është zvogëluar çmimi në grumbullim”, tha Memaj.

Memaj po ashtu ka ngritur shqetësimin për importimin e produkteve me përmbajtje të vajit të palmës, të cilat vijnë përmes certifikatës veterinare, e që AVUK ka lejuar importin e tyre pa e ditur se çfarë përmbajtje kanë, për çka kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit.

Memaj: Kemi të bëjmë me shkelje flagrante të ligjit të nivelit shumë të lartë

“Prodhimet e qumështit të ashtuquajtura që vijnë nga importi por edhe nga prodhimet vendore janë prodhime kryesore të cilat janë duke shkaktuar problemin e sektorit të qumështit, janë ato me vaj të palmës. Prodhime të cilat në aspektin ligjor nuk janë të rregulluara, ose janë prodhime të jashtëligjshme, prodhime edhe të cilat janë të jashtëligjshme dhe prodhime të cilat janë duke dëmtuar edhe shëndetin e konsumatorëve të Kosovës….Pra, kemi të bëjmë me shkelje flagrante të ligjit të nivelit shumë të lartë. Ku është lejuar për shumë vite importimi i prodhimeve të vajit të palmës, me nga së paku 10 milionë kg për vit. Kemi një sasi të jashtëzakonshme të prodhimeve, të cilat vijnë përmes doganave të Kosovës, dhe shiten në rrjetin e marketeve anë e mbanë Kosovës. Pra, në një anë e kemi importin e prodhimeve me përmbajtje të vajit të palmës, prodhimet e qumështit dhe tani po flasim për prodhime të cilat të shiten për produkte të qumështit, të cilat vijnë kryesisht nga vendet e regjionit si Maqedonia, Bullgaria, Serbia, Shqipëria e tjera dhe vende më të largëta si Bullgaria, Hungaria. Pra, ekziston një numër i shteteve mbi 50 produkte të cilat ne i kemi evidentuar si produkte të vajit të palmës”, tha Memaj.

Kryetari i Komisionin për Bujqësi Liburn Aliu ka pyetur kryetarin e Këshillit koordinues të fermerëve të qumështit, Ramadan Memaj, mbi sasinë e qumështit që prodhohet brenda vitit në Kosovë.

Aliu: Cili do të ishte efekti në rast se do të kishim limitim të vajit të palmës në përgjithësi?

“Sa prodhohet qumësht në vendin tonë, nëse 70 mijë nuk grumbullohen, sa grumbullohen? Ju thatë që janë mbushur stoqet, si janë mbushur stoqet, a ka ndikuar pandemia në këtë situatë? A janë mbushur stoqet me qumësht me vaj të palmës apo me qumësht tjetër? Cili do të ishte efekti në rast se do të kishim limitim të vajit të palmës në përgjithësi?”, është shprehur Aliu.

Memaj ka theksuar se gjatë kohës së dimrit sasia e prodhimit të qumështit bie, por një pjesë e konsiderueshme po rrezikohet të paguhet me 50 për qind të çmimit.

Memaj: Në Kosovë prodhohen 200 tonë qumësht

“Në Kosovë prodhohen 200 tonë qumësht, por gjatë kohës së dimrit kjo sasi bie në 160 apo 170 tonë. Për momentin nuk janë duke u grumbulluar rreth 70 tonë, që i bie se diku 140 tonë janë grumbulluar, problemi që e thash edhe në fillim është se edhe ky qumësht që po grumbullohet, po rrezikohet që një sasi e madhe të paguhet me 50 për qind të çmimit”, tha ai.

Ndërsa Memaj tha se ka një rrjet kriminal që sjellë e kontrabandon mallra për të dëmtuar qytetarët. Ai kërkuar ndërprerjen e përhershme të importimit të vajit të palmës, meqë sipas tij janë rreth 20-30 mijë familje të cilat po rrezikohen.

Memaj: Ne kërkojmë nga ju ndalimin e importimit të këtyre produkteve

“Ne jemi shumë të shqetësuar edhe për faktin e aspektit të sigurisë. Ajo çfarë ne kërkojmë nga ju si komision parlamentar dhe si Kuvend i Kosovës, duke i ndaluar këto produkte, të cilat po shkatërrojnë gjithçka. Duke filluar nga fermat, pikat grumbulluese, fabrikat e grumbullimit dhe mbi të gjitha duke shkatërruar shëndetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Memaj.

Salih Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje, ka konsideruar shqetësuese faktin se shumë fermerë po rrezikojnë të falimentojnë dhe tha se produktet me vaj palme nuk guxojnë të gjenden në tregjet e Kosovës. /TV Malisheva

Share.