Gjatë këtij viti në Kosovë janë evidentuar 38 raste nën moshën 18-vjeçare që janë të prekur nga diabeti.

Kështu u tha me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Diabetit, organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik me moton “Mbroje Familjen tënde”, dhe nga ku u tha se mbi 13 mijë kosovarë janë të prekur nga kjo sëmundje.

Drejtori i Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike, Naser Ramadani u shpreh se përmes motos “Mbroje familjen tënde”, po synohet edukimi dhe vetëdijesimi i shoqërisë për rreziqet e kësaj sëmundje.

Sipas tij, në vitin 2018 janë regjistruar mbi 13 mijë raste të të prekurve me diabet, andaj Ramadani kërkoi angazhim serioz në luftimin e kësaj sëmundje.

“Të dhënat e raportuara faktikisht në kujdesin primar shëndetësor për vitin 2018 të pacientëve me diabet të varur nga insulina janë gjithsej 13 mijë e 357 raste, ku prevalenca më e lartë është e gjinisë femërore prej 57.4 për qind. Duke pasur parasysh që diabeti ka kosto të lartë shëndetësore pasi është sëmundje, e cila po nuk u zbulua dhe nuk mjekohet me kohë dhe në mënyrë të rregullt, mund të shkaktojë ndërlikime serioze si sëmundje vaskulare, nervore, verbim, sëmundje të veshkave, amputim të gjymtyrëve “, tha ai, raporton Kosovapress.

Sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Naim Bardiqi tha se sëmundje e diabetit në kuadër të kësaj ministrie trajtohet në rrafshin e parandalimit të hershëm dhe trajtimin e të prekurve nga kjo sëmundje.

Bardiqi tha se MSH ofron pesë lloje të insulinave falas për diabetikët dhe se në kuadër të Klinikës së Endokrinologjisë çdo vit mund të hospitalizohen rreth 800 pacientë.

Ai iu bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë kontrolle të shpeshta sidomos në matjen e sheqerit, tensionit dhe yndyrave në gjak.

“Në Kosovë konsiderohen diku 5-7 për qind e popullatës janë me prevalencë të sëmundjes ku 20 deri në 30 për qind prej tyre janë të varur nga insulina, e cila u ofrohet falas nga Ministria e Shëndetësisë. Regjistri i pacientëve insulinë vartës i Ministrisë së Shëndetësisë është 13 mijë e 357. Ministria e Shëndetësisë i siguron pesë lloje të insulinave ato humane dhe analoge për pacientët. Në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të sëmurët me diabet trajtohen në Klinikën e Endokrinologjisë”, u shpreh Bardiqi.

Erina Tafashiku, endokrinologe në Klinikën e Endokrinologjisë pranë QKUK-së, tha se diabeti ka shënuar rritje nga viti në vit, andaj mbetet sfidë për endokrinologët dhe vetë shoqërinë.

Në trajtimin e kësaj sëmundje kjo klinikë ka në dispozicion stafin prej 13 mjekë specialistë dhe 16 infermierëve dhe gjithsej 36 shtretër.

Sipas kësaj endokrinologeje në muajin e kaluar janë evidentuar 623 pacientë me diabet.

Tafashiku tha se pacientët në Kosovë edhe pse furnizohen falas me insulinë, ata ende janë të detyruar t’i blejnë vetë shiritat për matje e glikemisë.

“Gjatë vitit të kaluar në klinikë janë hospitalizuar 612 pacientë me diabet tip 2 prej të cilët 370 femra dhe 242 meshkuj, 66 pacientë me diabet tip 1 prej të cilëve 39 janë femra dhe 27 meshkuj, 6 pacientë me diabet gestacional dhe 2 pacientë me diabet specifik… Muajin e kaluar kemi pasur 623 pacientë me diabet prej të cilëve 402 pacientë me tip 2 dhe 221 me diabet tip 1… Në SHSKUK nuk bëhet një prej analizave tremujore të domosdoshme për çdo pacient me diabet që është HBA1C duke e trajtuar këtë problem Klinika e Endokrinologjisë do të kishte informacione më të mirë për përcjelljen e trajtimit të pacientëve”, tha Tafashiku.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Sahadete Hadri derisa tha se janë të përkushtuar në edukimin dhe trajtimin e pacientëve të prekur nga diabeti, shprehu shqetësimin se deri në këtë periudhë të viti janë raportuar 38 raste të prekur nga diabeti që janë persona nën moshën 18-vjeç.

“Në vitin 2001 kemi pasur gjashtë, 2002 shtatë, 2003 tre, dhe kështu me radhë deri në vitin 2012 vitin 2012 nuk e kemi pasur asnjë rast, 2013 asnjë rast, 2017-2018 asnjë rast, mirëpo mjaftojnë edhe këto 38 raste të cilët janë nën moshën 18- vjeçare”, tha Hadri.

Dita Botërore e Diabetit në Kosovë gjatë ditës së sotme do të shënohet me një sërë aktivitetesh si informimi i pacientëve përmes ligjëratave, do bëhet në qendër matja e glukozës etj.

Diabeti është një sëmundje kronike e shkaktuar nga mungesa e insulinës (trupi është i paaftë të prodhojë insulinë) ose nga rezistenca ndaj insulinës (qelizat e trupit e humbin ndjeshmërinë ndaj insulinës, pra ka insulinë në sasi normale ose tepricë, mirëpo qelizat e trupit janë të pandjeshme ndaj saj).

Funksioni kryesor i insulinës është metabolizmi i glukozës ose futja e sheqerit nga gjaku deri te qelizat e trupit. Kur mungon insulina rriten nivelet e glukozës në gjak dhe nëse kjo situatë bëhet kronike atëherë ndodh diabeti.

Share.