Sulmuesi i kombëtares kosovare, Milot Rashica, është shprehur i zhgënjyer pas ndeshjes për kualifikime në Euro 2020 kundër Çekisë, ku Kosova humbi me rezultat 2 me 1 e rrjedhimisht e humbi mundësinë për kualifikim direkt.
“Zhgënjimi është shumë i madh sepse nuk kemi luajtur siç ne dimë. Sidomos pjesa e parë, ka qenë më e dobëta që e kemi bërë deri tash”, ka thënë Rashica.
Ai thotë se Çekia luajti futboll më të mirë se sa Kosova dhe u angazhua më shumë.
“Çekia e luajti një lojë shumë të mirë. U angazhuan shumë më shumë. I shënuan ato dy gola ashtu siç e shënuan”, ka thënë sulmuesi kosovar, raporton Gazeta Express.
“Ne e kemi lojën tonë që provojmë me pasime të dalim. Por sot shumë gjëra nuk kanë funksionuar”, ka thënë Rashica.
Ai ka thënë se “hijeshia e vetme e sotme kanë qenë tifozët e Kosovës”, të cilët e kanë përkrahur gjatë gjithë ditës së ndeshjes Kosovën që u përballë me Çekinë.