Çmimet e lira dhe mirëpritja në Kosovë u ka bërë përshtypje tifozëve të Anglisë, që tashmë kanë arritur në Kosovë për ta përcjellë ekipin kombëtar të tyre. Ata janë shprehur të kënaqur me udhëtimin e tyre nëpër rrjete sociale.

Kosova do ta presë nesër në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.

Para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja e Anglisë do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” sot në orën 18:30, ndërsa trajneri anglez Gareth Southgate do të mbajë konferencë në Prishtinë në orën 19:30.

Mirëpo, shumë tifozë anglezë kanë ardhur më parë në Prishtinë. Ata kanë treguar nëpër llogaritë e tyre në rrjetet sociale se janë duke i shijuar çmimet e lira dhe mirëpritjen në Kosovë.

“I hëngra tri ushqime dhe rreth 30 birra dhe i shpenzova vetëm 30 euro, Kosova është vendi më i mirë në Tokë”, ka thënë Josh Pownall.

“Një euro e 50 cent për një pintë të mirë birre, gjashtë euro për picën më të madhe që e keni parë ndonjëherë – Kosova është e duhura”, shkroi Harry Foster.

“Prishtinë, Kosovë. Saktësisht si e paramendova. Por, të paktën këtu jemi shumë të mirëpritur”, shkroi Adam Seeley.

Share.