Qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, është shprehur i motivuar për ndeshjen e së dielës kundër Anglisë, përkundër që Dardanët s’mund ta sigurojnë më kualifikimin në EURO 2020 përmes Grupit A.

Kosova do ta presë nesër në orën 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë Kombëtaren e Anglisë, për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.

Para kësaj ndeshjeje, Kombëtarja e Anglisë do të arrijë në aeroportin “Adem Jashari” sot në orën 18:30, ndërsa trajneri anglez Gareth Southgate do të mbajë konferencë në Prishtinë në orën 19:30.

Vlera e kësaj ndeshjeje të së dielës ka rënë për Kosovën pas humbjes të së enjtes në Çeki, pasi që tani “Dardanët” e kanë të pamundur të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A. Përkundër kësaj, Rrahmani është i motivuar që t’ia dëshmojë botës fuqinë e Kombëtares kosovare.

“Pa mundësinë për kualifikim, por me kokën lart për ndeshjen e nesërme, së bashku për t’i treguar botës që jemi të fortë për çdo kundërshtar, sidomos në shtëpinë tonë”, ka shkruar Rrahmani në llogarinë e tij në Instagram.

Share.