Sot në fshatin Marali të Komunës së Malishevës, ka filluar asfaltimi i dy rrugëve, hapja e të cilave kishte filluar më pak se një muaj më parë. Asfaltimin e rrugëve e kanë parë nga afër drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina dhe anëtari i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Hashim Vrenezi, të cilët edhe i kanë uruar banorët që jetojnë në këto dy rrugë.
Bëhet fjalë për asfaltimin e rrugës “Mulla Selimi” e gjatë 500 metra dhe rruga “Naim Frashëri” e gjatë 100 metra, hapja dhe rregullimi i të cilave kishte filluar më 11 tetor dhe tani për më pak se një muaj, rrugët janë rregulluar dhe po asfaltohen.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina, i ka uruar banorët dhe ka thënë se “qeveria komunale mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha projekteve, të cilat edhe janë kërkesa dhe nevoja të qytetarëve, në të gjitha vendbanimet e Komunës së Malishevës”.
Hapja, zgjerimi dhe rregullimi i këtyre rrugëve, deri në asfaltimin e tyre, është mundësuar nga buxheti i Komunës së Malishevës.