Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka falënderuar futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës për kampanjën e mrekullueshme kualifikuese për Euro 2020 që e patën, shkruan Gazeta Express.
Ai shtoi se i gjithë populli i Kosovës është krenar me këta djelmosha, të cilët ia zbardhën fytyrën dhe e promovuan si është më së miri vendin tonë.
“Tash kur janë qetësuar emocionet për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës dhe e shikojmë tërë udhëtimin e ekipit tonë të shkëlqyer, ajo që mbetet është krenaria me lojtarët, me tifozët, me trajnerin dhe stafin e tij. Ndeshja kundër Anglisë nuk e solli rezultatin e dëshiruar në fushën e gjelbër, por solli në vëmendjen e tërë botës atë se çfarë është Kosova, një shtet i ri me potencial të madh dhe një shoqëri që përkundër traumave të luftës dhe gjenocidit udhëhiqet me vlerat e mikpritjes dhe respektit, barazisë dhe vëllazërisë. Kosova dhe populli ynë janë mirënjohës për mbështetjen që kemi marrë në kohët më të vështira dhe këtë po e kthejnë me miqësi të përhershme dhe me besim edhe më të fortë në vlerat e veta. Krenar me Kosovën. HTH”, ka shkruar Thaçi në Facebook.